Serbët tani fajin ia hedhin UEFA-s

Serbet assesi nuk po pajtohen me vendimin e CAS’it në favor të kombëtares Shqiptare.

Mediat serbe kanë nisur propaganda nga më të ndryshmet në lidhje me këtë vendim, shkruan Gazeta Express. Përveçse e konsiderojnë si politik, disa nga to shkruajnë edhe se gjoja ‘kjo padrejtësi për serbet’ (sic.) ka qenë e paralajmëruar.

Portali serb, Kurir, iu është vërsulur edhe UEFA’s për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, i kumtuar të premten e që i jep Shqipërisë fitore 0:3 ndaj Serbisë për ndeshjen e ndërprerë për shkak të dhunës në Beograd, tetorin e kaluar.

Ky portal, kujton se në që në Mars, faqja zyrtare e UEFA’s kishte publikuar një renditje të kombëtareve të grupit I të kualifikimeve për ‘Euro2016’, e ku Serbisë i figuronin -2 pikë, transmeton ExpressSport.

Kjo renditje ishte ndryshuar shumë shpejtë, duke u konsideruar si një gabim teknik i faqes.

“Edhe pse ishte menduar atëherë se ky ishte një gafë, tash lind pyetja nëse njerëzit e UEFA’s e dinin që në fund të marsit se si do të ishte vendimi i gjykatës në Lozanë”, shkruan ndër tjera Kurir.