Serbët ende i vajtojnë betejat e humbura në sport

Edicioni aktual është i njëmbëdhjeti i skuadrave kosovare të hendbollit në garat ndërkombëtare, përkatësisht në Kupa Evropiane.

Nga viti i kaluar në gara zyrtare paraqiten edhe ekipet përfaqësuese të Kosovës. Kosova tashmë është anëtare me të drejta të plota e të gjitha asociacioneve ndërkombëtare të hendbollit, shkruan sot Koha Ditore. Serbët shumë më herët janë detyruar të përballen me hendbollistët e Kosovës në fushën e lojës dhe tashmë janë regjistruar disa ndeshje mes përfaqësueseve të Kosovës e Serbisë, por edhe në mes ekipeve të Kosovës e Serbisë.

Ndonëse kanë pranuar të përballen me Kosovën, serbët ende vajtojnë humbjen e betejës për të penguar ndërkombëtarizimin e hendbollit kosovar.

Federata e Hendbollit të Kosovës qysh në fund të vitit 2004 kishte bërë histori duke u pranuar me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Hendbollit.

Pra ka hapur dyert shumë më herët se Komiteti Olimpik i Kosovës dhe federatat e tjera sportive në vend. Procesi i ndërkombëtarizimit të hendbollit ka përfunduar në fillim të nëntorit të këtij viti kur në Sochi të Rusisë FHK-ja u pranua me të drejta të plota në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit.

Bordi Drejtues i Federatës së Hendbollit të Serbisë është arsyetuar për pamundësinë e bllokimit të pranimit të Kosovës të IHF.

“Në kongresin e Federatës Ndërkombëtare të mbajtur në Sochi të Rusisë, Federata Serbe e Hendbollit nuk ka mundur të pengojë pranimin e Kosovës në këtë organizatë, pasi ky pranim ishte vetëm formalitet duke pasur për bazë që më herët Kosova u pranua në Federatën Evropiane të Hendbollit. Kundër pranimit të Kosovës kanë votuar vetëm Serbia, Rusia, Spanja, Sllovakia dhe Çekia. Kryetari i Federatës së Hendbollit të Serbisë, Velimir Marjanoviq, vlerëson se shteti nuk ka bërë përpjekje të mjaftueshme që të pengojë pranimin e Kosovës në këto organizata. Nuk është angazhuar ashtu si është angazhuar kur ishte në pyetje votimi për pranimin në UNESCO”, ka shkruar gazeta serbe “Politika”…