Selektori i Kosovës: I kënaqur me konkurrencën, synon kualifikimin

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Taip Ramadani, është shumë i kënaqur me konkurrencën në kombëtaren tonë. Ramadani thotë se ka pasur vështirësi për të përzgjedhur ekipin për shkak të konkurrencës kurse thekson se synim në garën kualifikuese në Itali do të jetë kalimi në rrethin tjetër të garave.

Ramadani thotë se Kosova ka tashmë nivelin që mos të jetë e kënaqur vetëm me paraqitje dinjitoze. “Seleksionimi i këtij ekipk ka qenë ndër më të vështirët që kemi bërë viteve të fundit. Ka konkurrencë të madhe në të gjitha pozitat dhe jam shumë i kënaqur që kam filluar të ndjejë një vullnet të lartë në mesin e lojtarëve për të përfaqësuar shtetin tonë. Po e vërej një rrymë të re dhe shpresoj ta shprehim këtë energji në fushë të hendbollit”, ka thënë Ramadani të mërkurën, pasi ka shpallur listën. Ai ka folur edhe për tre debutuesit. “Në këtë grumbullim kemi ftuar për herë të parë Liridon Zenën që e kemi përcjellur për tri vite.

Është portier që me vite aktivizohet në Kroaci, kurse po ka një stinor të shkëlqyeshëm me klubin e tij. Për herë të parë në ekipin A na bashkohet Albin Xhafolli, që mori pjesë në kampionatin botëror për juniorë në Spanjë dhe më ka lënë mbresa të mira si teknik i shkëlqyeshëm. Kemi ftuar në këtë grumbullim edhe Leonard Gegajn. 18-vjeçari është një lojtar i së ardhmes sonë. Është pjesë e Savehofit në Suedi ku luan edhe Gëzim Salihi. Leonardi ishte verën e kaluar në Prishtinë dhe pata rastin ta shoh në stërvitje. Menjëherë më la përshtypje. Ka shpejtësi, forcë eksplozive dhe intelegjencë të jashtëzakonshme për moshën e tij.

Kemi ftuar disa lojtarë të rinjë dhe jam i bindur se u ka ardhur koha të marrin përgjegjësi më të madhe dhe të fillojnë udhëtimin në elitën ndërkombëtare të hendbollit”, ka deklaruar pëzgjedhësi Ramadani. Për synimet në Itali, Ramadani është i prerë: “Kemi një synim në Itali, të kalojmë në fazën e dytë. Kemi ekip cilësor që gjithnjë është në ngritje. Më nuk duhet të kënaqemi vetëm me paraqitje dinjitoze. Duhet të jemi ambicioz, të luftojmë të barabartë me çdo ekip dhe të besojmë në aftësitë tona”, ka theksuar Taip Ramadani.