Sejdiu: Prishtina ka orar më të lehtë

 Barazimi pa gola me Trepçën ’89 e ka lënë Prishtinën pesë pikë prapa liderit të Superligës, Feronikeli, i cili tashmë e sheh veten shumë afër titullit të kampionit, kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund.

Kryesuesi konfirmon se tani është liruar goxha shumë nga presioni i vazhdueshëm i Prishtinës, e cila megjithatë mbetet akoma në luftë për titull.

Andaj, trajneri i ekipit nga Drenasi, Gani Sejdiu, thekson se Prishtina është skuadër e madhe, kështu që lufta ende nuk ka përfunduar.

Më mirë është pesë pikë epërsi sesa tri. Sigurisht se ndihemi më të liruar në aspektin psikik nga ai presioni i madh, sepse numri i ndeshjeve po zvogëlohet, kurse ne e rritëm avantazhin e pikëve”, thotë për “Zërin” Sejdiu.

Mirëpo, në një kësi gare, pesë pikë epërsi nuk janë asgjë. Janë edhe katër ndeshje deri në fund. Ne do të takohemi me ekipe shumë të forta e cilësore, të cilat do të luajnë pa ngarkesë ndaj nesh, kurse ne do të jemi të ngarkuar për ta ruajtur kreun. Në futboll kjo është e rrezikshme shumë. Në anën tjetër, Prishtina ka orar më të lehtë sesa ne”, nënvizoi trajneri i njohur kosovar, i cili kërkon nga djelmoshat e tij që deri në fund të kenë shumë kujdes nga Prishtina.

Prishtina është skuadër e madhe, me traditë të madhe. Prishtina është Prishtinë, e atillë që di të ndryshojë edhe në momentin kur askush nuk e pret. Kështu që, prishtinasit kanë shumë të drejtë të shpresojnë në titull sepse i kanë gjasat e tyre. Ndërsa, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, tepër të koncentruar e seriozë. Asgjë nuk ka përfunduar. Lufta mbetet e hapur 100 për qind”, nënvizoi Sejdiu, i cili është një meritor i madh në ecurinë brilante të “Niklit” në këtë edicion.

Skuadra e tij nuk po rivalizohet vetëm nga Prishtina, por edhe nga Besa. Kjo e fundit i ka gjashtë pikë më pak. Ndërkohë, përpos luftës për titull, Gani Sejdiu me djelmoshat e tij janë në garë për ta fituar edhe Kupën e Kosovës.

 

Orari i Feronikelit e Prishtinës

Java 30

Trepça ’89 – Feronikeli

Hajvalia – Prishtina

 

Java 31

Feronikeli – Hajvalia

Prishtina – Besa

 

Java 32

Besa – Feronikeli

Prishtina – Drenica

 

Java 33

Feronikeli – Prishtina