Sejdiu: Prishtina dhe Trepça ’89…

Feronikeli është bërë gati për t’i kaluar të gjitha pengesat që i dalin përpara për ta mbajtur pozitën e parë në tabelë deri në fund të sezonit. Skuadra nga Drenasi e mbylli pjesën e parë të Kampionatit si kampion vjeshtor, ndërsa do të mundohet ta kompletojë sezonin në mënyrë të përsosur.

“Ne i kemi filluar dhe përfunduar përgatitjet sipas planit, si është më së miri. Të gjitha ato që i kemi planifikuar, i kemi realizuar. Futbollistët janë të përgatitur në aspektin fizik, teknik dhe psikologjik. Ky i fundit është shumë i rëndësishëm për ta mbajtur pozitën e parë deri në fund të sezonit”, deklaroi trajneri Gani Sejdiu për ‘Zërin’.

“Do të jetë e vështirë, pasi jemi të hendikepuar pa fushën tonë, për stërvitje dhe lojë. Kjo po na penalizon shumë dhe bën që të mos e kemi prioritet titullin e kampionit. Po ashtu, të gjitha ekipet janë përforcuar dhe pranvera do të jetë mjaft e nxehtë. Nuk ka më ekip të dobët”, vazhdoi trajneri mitrovicas.

Sejdiu tregon rivalët për titull

Feronikeli nuk është ekipi i vetëm që e synon titullin e kampionit. Ish-trajneri i Trepçës dhe Trepçës ’89 i ka treguar edhe rivalët për titull. “Aty janë Prishtina, Trepça ’89 dhe Hajvalia. Dy të parat i shoh me mundësi më të mëdha. Por, mund të jetë edhe Besa, nga plani i dytë”, thotë Sejdiu.

Ai i komentoi edhe deklaratat e trajnerit të ri të Hajvalisë, Ismet Munishi, i cili duket mjaft optimist se do ta fitojë titullin e kampionit me skuadrën prishtinase. “Deklaratat e Ismetit janë mjaft interesante dhe të këndshme. Secili trajner e ka metodën e vet, ky është stil i tij. Këto deklarata janë të lejueshme, por me një kufi, derisa nuk e nënçmon apo fyen kundërshtarin”, përfundoi Sejdiu.

‘Nikli’ e mbylli stinorin vjeshtor si lider me 28 pikë të grumbulluara, duke regjistruar 7 fitore, 7 barazime e 2 humbje. Ekipin e gjelbër e ndajnë vetëm dy pikë nga i dyti në tabelë, Hajvalia, kurse Trepça ’89 dhe Prishtina ndajnë pozitat katër dhe pesë, me pikë të njëjta, 25.