Sejdiu: Lushtaku keqkuptoi, unë nuk ofendoj, jam drenicak

Trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, një ditë më parë akuzoi homologun e tij tek Feronikeli, Gani Sejdiu, duke thënë se ky i fundit e ofendoi skuadrën e Drenicës pas ndeshjes së DigitAlb Kupës.

Takimi në fjalë u mbyll 0:0, dhe u luajt në Prizren, aty ku Feronikeli zhvillon takimet, kurse pas takimit u fjalosën të dy trajnerët.

Trajneri i skuadrës nga Drenasi, Gani Sejdiu, thekson se gjithkçka ishte një keqkuptim.

“Nuk është e vërtetë, nuk po di ai (Tahiri) a e ka bërë me qëllim apo e ka keqkuptuar, për këtë kam edhe dëshmitar. Askënd në jetën time nuk e kam ofenduar. Është një keqkuptim i tij, ose e ka dëgjuar keq, pasi ajo që ka thënë nuk qëndron”, thekson Sejdiu për GazetaOlle.com, sipas të cilit trajnerët në këso raste janë pedagog dhe nuk duhet të reagojnë në mënyra të tilla.

“Është një moment i cili duhet të harrohet, pak janë edhe emocionet, është një lloj reflektim i asaj që ne e kemi ndërruar fushën, gjë që është e pakuptimtë, sepse nuk e kemi ndërruar fushën për inati të Drenicës, absolut për këtë i kemi falënderuar Drenicën”, shtoi ai.

Si Sejdiu ashtu edhe Lushtaku ndodhen në procedurë disiplinore në bazë të raportit të vëzhguesit, ku thuhet se të dy kanë shkëmbyer ofendime pas takimit.

“Ai është problem më i vogël. Më shumë është dukur si incident, por nuk është. Nganjëherë ka debate edhe mes Mourinhos dhe të tjerëve, janë moment keqkuptuese se sa që ka qenë në realitet. Janë të pavërteta ato dhe po e them prap se kam dëshmitar. Për mua është episode i mbyllur, nëse e meritojmë të na dënojnë nuk është problem. Unë jam drenicak, e di se çka është Drenica, kush është dhe sa e respektoj, këtë e kam thënë edhe pas takimit se ata luajtën mirë taktikisht dhe ne nuk merituam fitoren, pra nuk jam ankuar si të tjerët që ankohen për zhagitje apo për strategjinë e lojës së aplikuar”, theksoi ish-trajneri i Trepçës ’89, me të cilën takohet të dielën në kuadër të Superligës. (Gazeta Olle)