Ballkani vazhdoi me fitore rrugëtimin drejt kualifikimit në Europa Conference League.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja arriti ta mposht skuadrën nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps me rezultat 2-0.
Trajneri kosovar, Gani Sejdiu në një intervistë për GazetaBlic Sport ka komentuar rrugëtimin e Ballkanit drejt kualifikimit në Conference League duke potencuar se skuadra kosovare ka krijuar një përvojë të madhe në këto gara dhe rrjedhimisht mund të kualifikohet sërish në grupe të kësaj gare europiane.
“Ballkani ka krijuar një stabilitet dhe përvojë shumë të madhe në këto gara, po shoh shumë siguri në lojën e Ballkanit dhe kjo është një gjë pozitive, besoj që do ta mbrojë rezultatin që e ka rrjedhimisht do të bëhet shumë e rrezikshmë në kundërsulme për shkak se Ballkani e ka atë cilësi, kështu që mendoj se do ta menaxhoj me sukses avantazhin e krijuar pavarësisht se kundërshtari nuk është një ekip për t’u nënvlerësuar, kishte lojtarë me shumë teknik, por jo me rrezikshmëri të mjaftueshme dhe mendoj që skuadra kosovare me sukses do kaloj tutje“, tha fillimisht Sejdiu.
Sejdiu komentoi edhe largimin e Albion Rrahmanit nga Ballkani duke thënë se mungesa e tij do vërehet në lojën e Ballkanit, megjithatë Sejdiu beson që Ballkani ka lojtarë kualitativ që mund ta zëvendësojnë ‘boshllëkun’ e krijuar nga largimi i Albion Rrahmanit.
“Mungesa e Rrahmanit sigurisht që do të vërehet shumë në lojën e Ballkanit, Ballkani ka lojtarë si Korenica, por nuk është lojtar që mund të jap aq sa Rrahmani, pasi Rrahmani edhe fitoi një vetbesim të lartë. Mungesa e tij do të vërehet kjo nuk diskutohet megjithatë nuk është mungesë që nuk mund të zëvendësohet pasi Ballkani ka lojtarë kualitativ“, tha Sejdiu.