Sefaja: Kampionat i rëndësishëm për ne, do të japim maksimumin

Basketbollistët e Kosovës U16 po vazhdojnë përgatitjet për FIBA European Challenger, që do të zhvillohet nga 16 deri më 21 Gusht në Prishtinë.

Dardanët e rinj janë të motivuar në stërvitje dhe atmosfera është shumë pozitive, derisa rëndësia është e dyfishtë, pasi do të zhvillohet në kryeqytetin e Kosovës.

Përzgjedhësi i kësaj grupmoshe, Dritëro Sefaja, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Kemi pasur më herët disa grumbullime, kurse prej të dielës kemi filluar fazën intensive, që do të mbahet deri para fillimit të garave. Kemi disa lëndime të lojtarëve, megjithatë po shpresoj se do të shërohen me kohë.

Ekipi është i bashkuar dhe janë të motivuar. Atmosfera është shumë e mirë”, është shprehur Sefaja për faqen zyrtare të FBK-së.
Kampionati ka rëndësinë e veçantë, pasi zhvillohet në Prishtinë. “Është përparësi e madhe të luash si vendas.

Megjithatë, për shumë lojtarë, kjo do të jetë hera e parë që luajnë në gara ndërkombëtare, andaj nuk do të jetë e lehtë. Do të punojmë edhe në aspektin psiqik, sepse ka shumë rëndësi”, shtoi tutje Sefaja.

Kosova është në grup me Shqipërinë, Maltën, Andorrën, Gjibraltarin dhe Luksemburgun. “Ne kemi dy vite që nuk kemi garuar për shkak të pandemisë me Covid 19.

Presim konkurrencë nga Shqipëria dhe Luksemburgu, dhe pak më lehtë me shtetet tjera. Ne do të mundohemi të luajmë lojën tonë dhe të japim maksimumin”, përfundoi Dritëro Sefaja.

Bordi i FIBA Evropës vendosi që të gjitha garat te gurpmoshat e reja të zhvillohen në formë të Challenger, e jo më herët si Divizione. Ky kampionat ishte dashur të zhvillohet në vitin 2019 në Prishtinë me pjesëmarrjen e 11 shteteve, por u shty për shkak të Covid 19.

Zyrtare: Gjilani konfirmon transferimin e sulmuesit Blerim Krasniqi

Trajneri i Legias me fjalë të mëdha për Ernest Muçin