Sara Gjergjaj synon ta udhëheq Kosovën drejt Botërorit

Sara Gjergjaj është shpallur lojtarja më e mirë e IHF Trophy për zonën evropiane në grupmoshën u17.

Sara si kapitene e Kombëtares synon që me Kosovën të kualifikohet në Kampionatin Botëror. Për këtë Dardaneve i duhet që ta fitojnë fazën interkontinentale të IHF Trophy që pritet të mbahet në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Kosova u17 fitoi garën IHF Trophy për zonën evropiane, ku të dielën përfundoi në Prishtinë dhe u kualifikuan në fazën ndërkontinentale. Për Sarën, dëshira e saj është që bashkë me ekipin të kualifikohen në Kampionat Botëror dhe një ditë të bashkohet me Kombëtaren A.

“Dëshiroj që të kualifikohemi në Kampionat Botëror me Kombëtaren u17. Momentalisht i gjithë fokusi dhe dëshira ime, por edhe i gjithë Kombëtares, është që të arrijmë në Kampionatin Botëror me u17. Pastaj, padyshim që ëndërr e imja është që një ditë të luaj në Kombëtaren A, të jap gjithë potencialin tim dhe të ndihmoj Kombëtaren që të arrijmë suksese”, ka thënë Sara Gjergjaj në një bisedë për sajtin zyrtar të FHK-së.

Kapitenja e cila jeton dhe luan në Zvicër është shumë krenare që përfaqëson Kosovën. Ajo është zgjedhur MVP megjithatë suksesin ua dedikon bashkëlojtareve dhe punës ekipore.

“Titulli MVP është nder i madh. Ndihem krenare me këtë të arritur. Dëshmon se përpjekjet dhe pasioni im për hendbollin janë vlerësuar. Pa dyshim që ky çmim më jep edhe më shumë motiv për të vazhduar punën de përpjekjet, që të zhvillohem dhe të kontriboj për Kombëtaren. Suksesi im është rezultat i punës së madhe ekipore. Jam shumë falënderuese ndaj bashkëlojtareve dhe trajnerëve që kanë pasur besim në mua”, ka thënë Gjergjaj.

Ajo ndihet mirë që u zgjodh kapitene, por e di se me këtë ka edhe përgjegjësi shtesë. Sara përpiqet të jetë shembull i mirë për ekipin, që të motivojë dhe ndihmojë bashkëlojtaret dhe që atmosfera të jetë shembullore. /Gazeta Olle/

Armend Dallku analizon Shqipërinë: Suksesi nuk është rastësi, do të veçoja Berishën, Gjimshitin dhe Ramadanin

Ballkani për fitoren e radhës, Liria për rezultat pozitiv – formacionet zyrtare