Samir Shaptahoviq konfirmon bisedimet me Sigal Prishtinën

 Njëri prej basketbollistëve më të mirë në histori të basketbollit kosovar, Samir Shaptahovic, është shumë afër rikthimit në Kosovë.

Madje, ai pritet të rikthehet te ish-skuadra, Sigal Prishtina.

Një gjë të tillë, Shaptahovic e ka pohuar ekskluzivisht për Gazetën Tribuna.

“Unë në jam takuar në Nju Jork me Blerand Stavilecin dhe Sadi Perashin dhe kemi biseduar për mundësin që unë të rikthehem në Prishtinë. Ende nuk kam vendosur dhe jam duke menduar çka të bëjë, do të kem kohë të mendoj. Por si do që të jetë, unë e kam kaluar rininë në Kosovë dhe mund të them që edhe gjysmën e jetës time e kam kaluar atje. Në çdo moment jam i gatshëm të kthehem nëse Kosova ka nevojë për mua”, ka thënë ish – basketbollisti i Pejës, që u largua ende pa përfunduar sezoni.

Ai nuk e ka mohuar rikthimin edhe te ndonjë skuadër tjetër kosovare.

Edhe pse Shaptahovic, ka katër-pesë muaj që nuk është i angazhuar në asnjë ekip, ai nuk është ndalur dhe ka punuar edhe në Nju Jork.

“Samiri është duke jetuar me familje në Amerikë në qytetin e Nju Jorkut. Për momentin jam duke ushtruar disa fëmijë në mënyrë individuale sepse te ata kam pa qe janë tepër të talentuar, janë në moshë të re dhe kam besim që në të ardhmen mund të kenë sukses. Sigurisht ajo më ndihmon të jam edhe unë në formë të mirë. Nuk i kam ndërprerë stërvitjet për as një moment edhe jam në formë të mirë”, theksoi organizatori më i mirë që ka pasur Kosova pasluftës.

Ai shtoi se është duke i rritur tre talentë, Amel Velic, Adi Djeljosevic dhe Almir Coba, për të cilët nënvizoi se mund të bëhen emra të njohur.

Kur te mendon Pejën, i vjen të qajë

Gjendja nëpër të cilën po kalon Peja, po e shqetëson aq shumë Samirin, sa që atij i vjen edhe të qajë.

“Ajo çka është duke ndodhur me Pejën ndonjëherë me vjen të qajë sepse ai qytet dhe ata tifozë nuk e meritojnë ta shohin klubin e vet në Ligën e Parë. Drejtuesit e klubit e di që mundohen maksimalisht të udhëheqin klubin sa më mirë por kriza  që e ka kapluar jo vetëm Pejën por krejt Kosovën e ka sjellë në këtë gjendje këtë klub. Unë jam i bindur që klubi do të kthehet në rrugë të drejt edhe aty ku e ka vendin. E kam vetëm një lutje për Federatën e Kosovës, ta rikthen Pejën aty ku e meriton sepse pa Pejën liga nuk asht interesant”, theksoi ai.

Në fund, Shaptahovic ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar në Amerikë.

“Një falënderim i veçantë shkon për disa persona që mu më kanë ndihmuar tepër në Amerikë. Safet Xhaferaj, Safet Adovic, Zejo Demiraj, Safet Velic, Ismet Hoxha, Cazim Djokic, Muhamed Coba, Naim Cena dhe Meto Lukic”, përfundoi Samir Shaptahovic.

Samir Shaptahovic në të kaluarën ka luajtur për Sigal Prishtinë, Mabetexin, Bashkimin dhe së fundmi për Pejën.

Ai ka fituar gjithçka në basketbollin e Kosovës.

Por, duhet theksuar se rikthimin e tij në Sigal Prishtinë, vazhdojnë ende të kundërshtojnë tifozët e prishtinasve “Plisat”