Sahiti: Të kënaqur me gjithçka në FFK, synojmë kualifikimin në evropian

2023-ta vlerësohet vit i Kombëtares së Kosovës në futboll. E gjithë vëmendja e opinionit futbolldashës në vendin tonë do të jetë në ciklin e ardhshëm kualifikues për Euro 2024, që nis në muajin mars. Dardanët në këtë fushatë kualifikuese ndodhen në Grupin I, ku janë edhe Zvicra, Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andorra. Krerët e FFK-së e kanë vlerësuar këtë cikël kualifikues si mundësi të mirë që Kosova ta arrijë kualifikimin historik. Mirëpo, pikërisht kur kanë mbetur rreth 2 muaj deri në grumbullimin e Kombëtares për këtë cikël kualifikues, FFK përballet me telashe tjera, të cilat vijnë si rrjedhojë e luftës së grupeve të caktuara të interesit, për siç thonë drejtuesit e këtij institicioni, ‘kapjen e FFK-së‘.

Megjithatë, drejtori i ekipit kombëtar, ish-lojtari i gjeneratës së artë, Muharrem Sahiti, ka thënë se ata mbeten plotësisht të fokusuar në kualifikimet e Evropianit, derisa ka thënë se janë me fat që FFK udhëhiqet nga një personalitet si Agim Ademi.

“Fokusi ynë është te përgatitja sa më e mirë për ciklin kualifikues, duke e ditur se kemi një objektiv që ia kemi vendosur vetës e që edhe presidenti Ademi e ka quajtur si vit të kualifikimit në Evropian. Pra, jemi të përqendruar në objektivat tonë dhe jo tek ata që dikur ishin në federatë e që synojnë që në forma të padrejta të rikthehen”, ka thënë Sahiti për Futbolli.info.

Ai e ka pranuar se ‘lufta’ që bëhet nga grupe të interesimit ndaj udhëheqjes së federatës është irrituese, por se nuk e pengon punën e stafit të Kombëtares për t’u përgatitur sa më mirë.

“Është e çuditshme që njerëzit e tillë nuk zgjedhin mënyra e as fjalë për të njollosur punën e FFK-së, mirëpo unë konsideroj se jemi me fat që në krye të këtij institucioni kaq të rëndësishëm kemi një personalitet si Agim Ademi. Ai ka qenë energjik edhe në kohën kur ishte nënkryetar, por në këto katër vjet sa është president ai ka bërë punë kolosale. Jam i bindur se investimet që ka bërë ai në futboll nuk do të arrinte t’i bënte askush tjetër si president i federatës. Është njeri me energji të jashtëzakonshme dhe që nuk ndalet në asnjë moment së punuari për të mirën e futbollit”, ka shtuar Sahiti.

Ai ka thënë se falë të parit të FFK-së janë krijuar kushte shumë të mira edhe për ekipin kombëtar.

“Të gjithë që jemi pjesë e ekipit kombëtar jemi të kënaqur me kushtet të cilat i ka mundësuar presidenti Ademi dhe KE i FFK-së. Ai për ekipin kombëtar nuk kursen asgjë dhe për këtë i janë falënderuar edhe lojtarët, të cilët janë jashtëzakonisht të kënaqur me kushtet dhe tretmanin ndaj tyre. Në kombëtare jemi të gjithë unik pavarësisht që shpesh ataktohemi nga jashtë me thashetheme të ndryshme”, ka theksuar tutje Sahiti.

Ai po ashtu ka thënë se vlerat e presidentit të FFK-së më së miri i dëshmojnë raportet e shkëlqyeshme që ai ka krijuar me dy njerëzit më të rëndësishëm të futbollit botëror, Gianni Infantino dhe Aleksandër Çeferin.

“Më ka rastisur të shkoj në shumë takime që presidenti Ademi ka pasur me presidentin e FIFA-s, Infantino dhe atë të UEFA-s, Çeferinin dhe kam mbetur i mahnitur me respektin që ai gëzon tek ata. Po ashtu, edhe në takimet me krerë të federatave, ai krijon miqësi të jashtëzakonshme dhe ura bashkëpunimi, duke u dëshmuar si një lider i jashtëzakonshëm”, është shprehur drejtori i ekipit kombëtar.

Ai më pas është rikthyer të flasë për ciklin kualifikues, ku ka theksuar se gjasat për kualifikim janë të volitshme.

“Prej momentit që është tërhequr shorti, i gjithë stafi kemi filluar punën, pasi duam që ta arrijmë kualifikimin. Forma e mirë e lojtarëve na motivon që kualifikimin ta kemi objektiv. Uroj të mos kemi lëndime dhe rënie të formës gjatë muajve të ardhshëm. Grupi ynë nuk është i lehtë, është i vështirë por jo i pakalueshëm”, ka thënë Sahiti.

Ai e sheh Izraelin si konkurrentin kryesor për Kosovën, normalisht krahas Zvicrës pretendente për ta fituar grupin.

“Shpresoj që të fillojmë mbarë me Izraelin. Çdo rezultat përveç humbjes do të ishte pozitiv, duke pasur parasysh se luajmë si mysafirë. Është me rëndësi të marrim rezultat pozitiv me Izraelin sepse këtë ekip e llogaris si konkurrent kryesor për ne për dy pozitat e para. Jo pse ne nuk do të luftojmë edhe për pozitën e parë, por konsideroj se Izraelin e kemi konkurrent direkt”, ka përfunduar Sahiti.

Sanije Krasniqi: Në FFK punohet me hapa gjigant

Zyrtare: Mudryk transferohet te Chelsea