Sa do të jetë numri i policëve në ‘Elbasan Arena’?

lbasani është duke u përgatitur për ndeshjen ndoshta “historike” për sa i përket fatit që mund të marrë ecuria e Shqipërisë në grup. “Elbasan Arena” është plotësisht gati dhe janë duke u bërë rregullimet e fundit, që më shumë janë dekorime. Ndërkaq, policia e Elbasanit ka publikuar planin e masave që do të marrë për mbarëvajtjen e takimit të 29 marsit mes Shqipërisë dhe Armenisë që do të luhet në “Elbasan Arena”. Sipas një komunikate të publikuar nga zyra e shtypit të forcave blu, policia do të punojë për të evituar incidentet e mundshme, përpara, gjatë dhe pas takimit që starton në orën 18:00. Sipas komunikatës, tifozët duhet të fillojnë hyrjen në stadium rreth 2 orë përpara ndeshjes, ndërsa fëmijët e mitur nuk do të lejohet të hyjnë pa bileta.

Kufizimet – Akset nga stadiumi deri tek rruga “1 Maji” dhe Rruga e Pedagogjikes” do të jenë të bllokuara, ndërsa numri i policëve që do të marrin pjesë në organizimin e masave të sigurisë do të jetë 320. Pavarësisht masave që do të marrë policia e Elbasanit, në këtë sfidë nuk parashikohen trazira pasi edhe numri i tifozëve armenë të pranishëm në “Elbasan Arena” pritet të jetë mjaft i vogël.

Paralajmërimi – Ndërkaq, policia e qarkut të Elbasanit, gjithashtu, ka bërë të ditur se personat që do të kenë biletë dhe do të shkojnë për të parë ndeshjen në stadium duhet të bëjnë kujdes në gjërat që do të marrin. “Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet janë të lutur të mos kenë me vete sende të forta, shishe të çfarëdolloji, fishekzjarrë, shkopinj që mbahen për flamujt, apo sende të tjera që në gjykimin e policisë përbëjnë shkelje të rendit dhe sigurisë”, tha Neritan Nallbati, drejtor i Policisë Elbasan.