Sa do të fitojë një sportist për një muaj nga Komiteti Olimpik?

15 sportistë kosovarë janë përfitues të bursave olimpike, për t’u përgatitur sa më mirë për Olipiadën “Rio 2016”.

Sportistët kulmorë, të martën e kanë nënshkruar kontratën me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) dhe përfaqësuesit e Federatave përkatëse, me ç’rast, këta sportistë do t’i përfitojnë nga 500 dollarë çdo muaj, deri në zhvillimin e evenimentit që do të mbahet në Brazil, vitin tjetër.

Lum Zhaveli (notar), Rita Zeqiri (notare), Erendita Gërguri (Taekwondo), Qëndrim Guri (çiklist), Majlinda Kelmendi (xhudiste), Nora Gjakova (xhudiste), Akil Gjakova (xhudist), Letrime Krasniqi (xhudiste), Urata Rama (shenjëtare), Lumturie Rama (shenjëtare), Musa Hajdari (atlet), Vijona Kryeziu (atlete), Hazir Asllani (shigjetar), Armend Xhoxhaj (boksier) e Kastriot Sedolli (mundës), janë sportistët që përfituan bursa olimpike, të ndara nga Solidariteti Olimpik, por edhe Kuvendet Komunale të Kosovës, përmes së cilave, do të mundohen ta sigurojnë normën olimpike për pjesëmarrje në “Rio 2016”.

Sportistët e lartpërmendur janë shprehur të lumtur për këtë ndihmë, duke premtuar se do ta japin maksimumin, për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën në Rio.

Edhe pse pritej pjesëmarrja e përfaqësuesve të Solidaritetit Olimpik, ata nuk kanë qenë të pranishëm në këtë ceremoni.