Rugova: Do të japim maksimumin, synojmë kualifikimin

Basketbollistët e Kosovës të martën mbrëma kanë filluar përgatitjet për ndeshjet shumë të rëndësishme që do t’i zhvillojnë këtë muaj.

Përmes uebsajtit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, është njoftuar se atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë dhe basketbollistët janë të motivuar për të dhënë maksimumin dhe për të synuar kualifikim në rrethin e ardhshëm.

Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova, ka folur për rrjedhën e përgatitjeve. “Të martën mbrëma kemi mbajtur stërvitjen e parë, ku atmosfera në ekipin e Kosovës është shumë e mirë. Basketbollistët janë të motivuar dhe sigurisht se do të japin maksimumin në dy takimet që do t’i kemi gjatë muajit shkurt.

Kosova A më 18 Shkurt do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 Shkurt me Sllovakinë. Përballjet zhvillohen nga ora 19:00.

Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.

Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë. Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës.