Rrugët e Leicesterit me emrat e futbollistëve

Kryetari i qytetit të Leicesterit planifikon t’i emërojë rrugët me emrat e futbollistëve të ekipit që janë shumë pranë të fitojnë titullin e kampionit në Premierligë.

Sir Peter Soulsby ka thënë se do t’i nderojë futbollistët dhe menaxherin Claudio Ranieri në mënyrë të veçantë nëse sigurojnë titullin e Premierligës këtë sezon.

Leicester ka nderuar sportistë të njohur përfshirë ish yllin e Anglisë, Gary Lineker dhe është i gatshëm për t’i riemëruar rrugët me emrat si “Vardy Vale” dhe “Ranieri Road”.

Më tepër se 10 mijë persona u grumbulluan në sheshin “Town Hall Square” më 2014 kur “Foxes” u promovuan në elitë.

Dhe, Sousby pret një ngjarje “edhe më të madhe” nëse ekipi shpallet kampion.

“Town Hall Square nuk do të mjaftojë kësaj radhe”, tha ai.

“Leicester ka nderuar yje të sportit në të kaluarën. Andaj, së bashku me Vardy Vale, ne mund të kemi edhe emra të rinj si Schmeichel Street, Drinkwater Drive dhe Ranieri Road”, përfundoi Soulsby.