Rrugës për finale

Nënkampionia e Kosovës në basketboll, Peja, është optimiste se mund ta prekë finalen e Ligës Ballkanike këtë edicion.

 

Peja që është kualifikuar direkt në gjysmëfinale, në këtë fazë të garave do të ketë punë me skuadrën bullgare Rilski Sportist.

Kjo e fundit në çerekfinale eliminoi skuadrën e Kumanovës.

Ndeshja e parë gjysmëfinale do të luhet në Bullgari, më 31 mars, kurse ajo e kthimit në palestrën “Karagaçi” në Pejë, më 7 prill.

Basketbollisti i Pejës, Alban Veseli, është optimist i madh. Ai e sheh Pejën në finale, pasi beson se skuadra kosovare mund ta tejkalojë Rilski Sportistin në gjysmëfinale, transmeton koha.net.

Peja dhe Rilski Sportisti gjatë këtij edicioni janë takuar dy herë gjatë fazës së parë në Grupin A dhe të dyja ndeshjet janë fituar prej bullgarëve. Ndeshja e parë në Samokov të Bullgarisë është mbyllur me shifrat 105:97, kurse e dyta në Pejë me rezultatin 93:91.

“Gjasat janë të mëdha që të kualifikohemi në finale. Të gjithë besojmë se mund ta arrijmë këtë dhe në dy përballjet me Rilski Sportistin do të japim gjithçka nga vetja”, ka thënë Veseli, të mërkurën, i cili javë më parë fitoi Kupën e Kosovës me Pejën.