Rruga drejt titullit | Super-përballjet mes skuadrave të “top-4”-shes: Kush e ka orarin më të favorshëm?

Gurmanët e futbollit kosovar po i “fërkojnë duart” pas vendimit të shumë pritur për rifillimin e edicionit 2019/20 të Superligës.

Diferencat e vogla të skuadrave të para në renditje garantojnë një sezon spektakolar në luftën për titullin kampion dhe pozitën e dytë, që garanton daljen në Evropë, përcjellë Gazeta Olle.

Sistemi i Bergerit, me të cilin funksionon edhe këtë edicion Superliga, sjellë përballjet mes skuadrave kryesuese kryesisht në fund të kampionatit, i cili do të mbyllet në Suharekë me sfidën mes dy ekipeve të para në renditje, Ballkanit dhe Dritës.

Renditja aktuale e Superligës

BALLKANI | Nëse ka në letër një favorit për titullin kampion, ai është pa dyshim Ballkani.

Jo për epërsinë e pikëve ndaj ekipeve tjera, pasi që ka vetëm një më shumë se Drita që është e dyta, por për komponimin dhe paraqitjet fantastike të portokallezinjve, sidomos në Suharekë, gjë që e bën paksa të pakuptueshëm edhe presionin e madh të tyre për mos-vazhdimin e kampionatit.

Tri ndeshjet ndaj tre kundërshtarëve për titull, Ballkani do t’i zhvillojë në tri xhirot e fundit kampionale.

Në xhiron e 31-të, Ballkani është nikoqir i Prishtinës, pastaj udhëton për t’u ndeshur me Gjilanin ndërsa në fund pret Dritën.

Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle

DRITA | Orar më të vështirë se Ballkani do të ketë ndjekësi i parë, Drita.

Dy prej tri takimeve ndaj rivalëve për titull, Drita do t’i luajë në udhëtim, ndërsa edhe sfidën që e ka në shtëpi e zhvillon ndaj Gjilanit, që po ashtu ndihet vendës në Stadiumin e Qytetit.

Në xhiron e 30, Drita luan ndaj Prishtinës në “Fadil Vokrri”, një javë më vonë sfidon Gjilanin si vendës, ndërsa në xhiron e 33 udhëton në Suharekë për ballafaqimin me Ballkanin.

Ashtu si në edicionin 2017/18 ku triumfoi ndaj Prishtinës, Drita mund ta luajë finalen kampionale në xhiron e fundit, sfidë për të cilën tashmë ka krijuar njëfarë përvoje.

Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle

GJILANI | Nëse një ekip ka orar të favorshëm, ai pa dyshim është Gjilani.

Ekipi i Gentian Mezanit luan në Gjilan ndaj Prishtinës, Dritës dhe Ballkanit.

Ndeshja e vetme kur Gjilani do të jetë mysafir në përballjet me ekipet e “top-4” do të jetë derbi ndaj Dritës, që gjithsesi zhvillohet në Gjilan!

Gjilani pret Prishtinën në xhiron e 29, e luan derbin ndaj Dritës në xhiron e 31, ndërsa një javë më vonë pret Ballkanin.

Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle

PRISHTINA | Ashtu si Drita, edhe Prishtina dy prej tri përballjeve ndaj kundërshtarëve direkt për titull do t’i ketë në udhëtim.

Bardhekaltërit në xhiron e 29 sfidojnë Gjilanin në udhëtim, një javë më vonë presin Dritën në “Fadil Vokrri”, ndërsa më pas luajnë në fushën e Ballkanit.

Gjithsesi prishtinasit besojnë fuqishëm në titull, prandaj edhe ishin shumë të zëshëm për rifillimin e kampionatit.

Kampionati që do të rifillojë më 7 qershor dhe do të mbyllet më 25 korrik.

Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle

Ndeshjet e Ballkanit:

Ballkani – Prishtina
Gjilani – Ballkani
Ballkani – Drita

Ndeshjet e Dritës:

Prishtina – Drita
Drita – Gjilani
Ballkani – Drita

Ndeshjet e Gjilanit:

Gjilani – Prishtina
Drita – Gjilani
Gjilani – Ballkani

Ndeshjet e Prishtinës:

Gjilani – Prishtina
Prishtina – Drita
Ballkani – Prishtina

Kalendarin e plotë të fazës së tretë, mund ta shikoni në grafikun e përgatitur nga “Olle”. /Gazeta Olle/

Kalendari i fazës së tretë të kampionatit