Rregullorja e vendit të tretë, ja gjasat kuqezi për Evropian

Tetë prej nëntë Kombëtareve, që pozicionohen në vendin e tretë të grupit, do të marrin pjesë në fazën “play-off”. Pas hedhjes së shortit dhe përcaktimit të çifteve, në përballjen mes tyre do dalin edhe katër skuadrat fituese që do të sigurojnë kualifikimin për në Europian.

Ndërkohë kombëtarja, e cila është pozicionuar e treta, por ka grumbulluar më tepër pikë se të tjerat, nuk do të ketë nevojë për të marrë pjesë në “play-off”, pasi kualifikohet menjëherë. Por, për të qenë e treta më e mirë, nuk llogariten të gjitha ndeshjet. Saktësisht, për grupet që kanë gjashtë ekipe, pikët që skuadra e vendit të tretë ka marrë me atë të fundit, do zerohen.

Shqipëria “konkurron” me pikë të plota, për shkak se është në të vetmin grup me pesë ekipe, ku merr pjesë edhe Franca, por si vend organizator i kompeticionit ndeshjet kundër saj janë miqësore. Aktualisht kuqezinjtë kryesojnë në garën për të tretën më të mirë me shtatë pikë, po aq sa Skocia dhe Hungaria.

Këto të fundit kanë marrë më tepër pikë në grupet respektive, por që u janë zbritur ato kundër ekipit më të dobët. Në rast barazimi të pikëve, hyn në fuqi golavarazhi i ekipeve. Momentalisht, ky element e penalizon skuadrën e De Biazit, për shkak të humbjes 0-3 ndaj Serbisë, si dënim i UEFA-s. Gjithashtu, edhe në rast barazimi të golavarazhit, diferencën e bën sasia e golave të shënuar