Rrëfimi ndryshe i Dukës: Kam shitur çorapa grash e kaseta

I ftuar në emisionin “Oktapod” të moderatorit Turjan Hyskaj në “Vizion Plus”, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka treguar për jetën e tij dhe fillesat në biznes. Që nga biznesi i parë, deri te Duka baba dhe familjar siç nuk e keni njohur asnjëherë. Një intervistë e zgjeruar që del nga kornizat e futbollit dhe institucionit që Duka drejton.

Si keni jetuar në komunizëm?

Nuk jemi trajtuar keq. Kam pasur dy prindër arsimtarë dhe ne donim të bënim patjetër shkollën e lartë.

Kur jeni dashuruar për herë të parë?

E vështirë kjo pyetje. Përpara ca kohësh thashë që nuk e di nëse kam dashuruar akoma dhe pata probleme në shtëpi. Tani dua t’i them bashkëshortes, jam dashuruar kur të njoha ty.

A ka pasur një tutor në arritjet tuaja?

Prindërit e mi. Deri në shkollën e mesme kam mësuar me nënën time. Isha dembel dhe ajo lexonte për të më mësuar mua….

Kur ka nisur marrëdhënia me futbollin?

Nuk kam pasur ndonjë pasion të veçantë për të luajtur futboll. Pas viteve ’90 kishim ndonjë mundësi për të luajtur me Shijakun. Ardhja në krye të FSHF-së nuk erdhi si pasojë e pasionit të futbollit. Nuk e dija që kishte një president dhe më dukej qesharake.

Sa e vështirë është që të nisësh biznes në Shqipëri?

Kam bërë një kontrabandë të vogël përpara komunizmit. Nuk kisha fatin të dilja jashtë Shqipërie, por shisja ndonjë orë këtu në Shqipëri. Ndoshta kisha instinkt të fshehur biznesmeni.

Ku keni shkuar për herë të parë?

Në Greqi kam shkuar me vizë false. Përveç të gjithë dyqaneve që ishin plot, shihja edhe kioska të mbushura plot. Aty kuptova që sistemi në Shqipëri duhet të ndryshonte.

Çfarë kërkonit nga biznesi?

Si fillim, doja thjesht të fitoja diçka për vete sepse nuk besoja që do të ndryshohej regjimi. Doja vetëm diçka për shtëpinë time. Atëherë isha vetëm 29 vjeç.

Çfarë sollët për herë të parë?

Kaseta magnetofoni dhe çorape grash.

Kur e bëtë milionin e parë?

Që në atë kohë. Duhej të merrje sa më shumë para. Megjithatë, nga ajo kohë deri tani nuk i plotëson asnjëherë paratë sepse duhet të marrësh borxhe.

Është e lodhshme të bësh jetën e një biznesmeni?

Sigurisht që po. Aq më tepër që në vendin tonë ka gjëra shumë të paparashikueshme. Je i ekspozuar karshi shumë faktorëve që të shohin si armik dhe jo si partner.

Keni menduar se dikush dëshiron të të bëjë keq?

Sigurisht që ka njerëz të tillë. Sa më shumë të jesh një person me pushtet ekonomik apo diçka tjetër, aq më shumë do të ndeshesh me persona të tillë. Ndoshta janë kundër ideve të tua. Kam pasur një moment kur pushteti më ka lënë 500 pulat pa ujë dhe unë i thashë vetëm të ma lëshonin ujin se edhe pulat do të votonin për atë që ishte në pushtet.

Cili ka qenë momenti më i vështirë në krye të federatës?

Përplasjet me qeverinë në vitin 2006, pasi ishte një luftë politike. Futbolli duhet të hiqte gurët që kishte nën rrota dhe jo të merrej me punë.

Po momenti më i bukur?

Momenti kur Kombëtarja fiton një ndeshje të rëndësishme dhe ndaj rivalëve të fortë. Ndaj Greqisë, Rusisë, por edhe kjo ndaj Armenisë, pasi ishte një fitore e rëndësishme për mënyrën sesi ka ardhur.

De Biazi u bë shqiptar për t’iu shmangur taksave?

Ishte një kërkesë publike që trajneri bëri duke thënë se ‘jam martuar me një shqiptare’. Nuk besoj se ka lidhje me taksat.

A është trajneri më i mirë që kemi pasur?

Është trajner shumë i mirë, por nuk do të thotë se të tjerët nuk kanë qenë të mirë. Ky ka disa gjëra ndryshe nga të tjerët. Është më sistematik dhe ka më shumë grintë.

Çfarë babai jeni?

Nuk i kam llastuar fëmijët e mi dhe ata rriten si gjithë të tjerët. Nuk janë të jashtëzakonshëm, por normalë dhe unë jam i kënaqur me ta.

Keni frikë nga plakja?

Kam filluar ta ndiej. Jeta është e bukur dhe më pëlqen.

Ju shqetësojnë thinjat?

Thinjat jo, por dhjami dhe rrudhat po.

Ju pëlqen muzika?

Nuk më pëlqen shumë zhurma. Nëse dua të qetësohem, dua shumë pak muzikë.

Shihni filma?

Shoh shumë filma shqiptarë dhe mund të them që kam parë shumë. Madje shoh edhe telenovela. Shoh ato turke, por s’po i them emrat tani.

Sa lexon Armand Duka?

Kam lexuar shumë dhe sigurisht që tani nuk lexoj më.

Keni një moto

Ndërtimi i raporteve korrekte me njerëzit.

Keni ndonjë peng?

Jo, nuk kam asnjë peng nga jeta. Jam i kënaqur me këto që më ka ofruar jeta në këtë vend. Kam kaluar një fëmijëri dhe një jetë të mirë.