Rrëfimi i Theophilus Solomon për aventurën te Ballkani: Skuadra e preferuar, jeta në Suharekë, titulli i kampionit dhe kampionati kosovar

Theoophilus Solomon është heroi i Ballkanit në derbin ndaj Dritës në Gjilan, kur shënoi një gol vendimtar për t’i dhënë tri pikë të mëdha skuadrës së Ilir Dajës.

Ballkani triumfoi në Gjilan në derbin e xhiros së kaluar përballë bardhekaltërve dhe Solomon i inkuadruar nga banka ishte vendimtar me golin e shënuar.

Sulmuesi nigerian ka një karrierë shumë të pasur, pasi para se të vinte në Kosovë te Ballkani, ka bërë karrierë edhe në vendet tjera të rajonit.

Solomon e nisi karrierën tek të rinjtë e klubit të madh kroat HNK Rijeka, para se të luante si i huazuar edhe tek Pomorac, Zadar, Sibenik e Istra.

Pas tri viteve të kaluara në futbollin kroat, Solomon vazhdoi si i huazuar edhe te Partizani i Beogradit, Omania e Nikoasias para se të transferohet në vitin 2018 përfundimisht te Inter Zapresic.

Nigeriani bëri karrierë edhe te Ujpest në Hungari, Partizani i Tiranës në Shqipëri dhe Qadisa SC në Kuwait.

Në një prononcim për Telegrafin, Solomon tregon për ardhjen në futbollin kosovar dhe si po ndihet te Ballkani.

“Në Suharekë po kaloj shumë mirë, jam i lumtur këtu dhe Ballkani po më trajton shumë mirë”, tha fillimisht Solomon.

Sulmuesi nigerian thotë se kishte dijeni për futbollin kosovar edhe para transferimit te Ballkanit, pasi ka miq që kanë luajtur në klube të tjera.

“Po kam pasur dijeni për futbollin kosovar kohë më parë se të vija këtu, sepse kam pak miq me të cilët kam luajtur më parë dhe kanë luajtur në klube të tjera”, vazhdoi tutje Solomon rrëfimin për Telegrafin.

Por ai nuk është ende i kënaqur me atë që ka treguar në Suharekë, pasi e di se mund të japë edhe më shumë. “Nuk jam i lumtur, sepse e di që mund të bëj shumë më mirë për vetën time dhe ekipin”, vazhdoi tutje Solomon.

Goli ndaj Dritës e ka bërë shumë të lumtur atë, pasi po vinte në këtë ndeshje pas një periudhe të gjatë pa shënuar.

“Për disa ndeshje nuk kisha shënuar dhe goli ndaj Dritës ishte shumë i rëndësishme. Një ndjenjë e mrekullueshme për mua që as nuk mund ta imagjinoni”.

“Unë do ta jap maksimumin tim për ekipin dhe t’i ndihmojë ata të arrijnë objektivat”, shtoi Solomon.

Njerëzit e Suharekës janë shumë të mirë

Suhareka nuk është njëra nga qendrat më të mëdha në Kosovë, por përkundër kësaj Solomon është shumë i lumtur në këtë qytet.

Madje sulmuesi nigerian ka fjalë të mira edhe për suharekasit, që e kanë mirëpritur në këtë qytet me traditë dhe kulturë të lartë.

“Suhareka është një qytet i vogël, por gjithsesi shumë i bukur. Njerëzit këtu janë shumë të mirë, të këndshëm. Jam i lumtur këtu dhe është gjithçka në rregull”, tha Solomon.

26-vjeçari iu bashkua me vonesë Ballkanit dhe deri më tani ka zhvilluar 14 ndeshje ku ka realizuar pesë gola në BKT Superligë.

Drita skuadra e pëlqyer për t’i shënuar gola

Ballkani ka zhvilluar tri ndeshje këtë edicion me Dritën e Gjilanit, ku ka marrë dy fitore dhe një barazim.

Madje skuadrës së Ilir Dajës gjashtë pikë përballë Dritës ia ka sjell sulmuesi nigerian Theophilus Solomon me golat e shënuar ndaj skuadrës së Ardian Nuhiut.

Solomon realizoi dy gola në fitoren e Ballkanit 2-0 në Suharekë përballë gjilanasve dhe një tjetër në stadiumin e qytetit në Gjilan vikendin e kaluar.

Ai synon që të shënoj më shumë gola deri në fund të këtij edicioni.

“Unë kam shënuar pesë gola deri më tani dhe mund të bëjë më shumë. Deri në fund të sezonin synoj që të shënojë sa më shumë që të jetë e mundur për t’i ndihmuar klubit”, tha Solomon.

Pasi ka luajtur në shumë vende të Ballkanit dhe rajonit, Solomon thotë se kampionatin kosovar është afër kampionatit shqiptar sa i përket cilësisë.

“E vërtet që kam luajtur në shumë vende të rajonit dhe Ballkanit, mendoj që kampionati kosovar është shumë afër ligës së Shqipërisë”, tha Solomon.

Krejt në fund sulmuesi nigerian deklaroi se synojnë të gjithë trofetë me Ballkanin pasi janë edhe në pozitë të mirë për të luftuar në dy frontet.

“Jemi tu bërë shumë mirë deri më tani dhe aktualisht jemi në pozicion të mirë për të luftuar në dy frontet. Do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund dhe çdo trofe që fitojmë është mirë për ne. Jemi në garë për titull dhe në fund do të shohim se ku jemi”, u shpreh Solomon.

Ballkani pas 22 xhirove në BKT Superligë zë vendin e parë në tabelë me 45 pikë, dy më shumë se Gjilani dhe tkatër më shumë se drita. Në kuadër të xhiros së 23-të, skuadra e Ilir Dajës do të përballet me Llapin në stadiumin e qytetit në Suharekë. 

 

Fitore e lehtë për Prizrenin 16

Riorganizimi i Ferizajt, lider i Ligës së Parë: Flasin kryetari, trajneri dhe lojtarët kryesorë