Rrëfimi i Ilir Dajës – Nga trofetë me Ballkanin, te dallimi mes Kosovës dhe Shqipërisë deri te ftesa e munguar nga Kombëtarja

Mjaftoi 1 vit në Kosovë për të hyrë në histori. Kampion me Ballkanin dhe kualifikim në grupet e Ligës së Konferencës. “Ishte një çmenduri”, thotë Ilir Daja ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ka fituar 4 tituj me 4 skuadra të ndryshme, ka bërë histori me Skënderbeun dhe Ballkanin në Europë, por sërish nuk e mori një ftesë për t’u bërë trajner i Kombëtares. “Duhet të kurojmë më mirë imazhin, duhet të shfaqemi pak më shumë në portale…”, thotë ai me një dozë ironie.

Si po shkojnë gjërat tani te Ballkani?

Mirë, jemi në fazë përgatitore në Turqi dhe po përpiqemi të bëjmë maksimumin gjatë këtyre ditëve për të qenë gati për pjesën tjetër të sezonit.

Titull kampion dhe grupet e Ligës së Konferencës… A e kishit menduar një arritje të tillë në Kosovë kur firmosët me Ballkanin?

Shikoni, unë e fillova aventurën një vit më parë te Ballkani, më saktë më 5 janar të vitit 2022. Kur kam startuar, pra gjatë bisedave të para që kam pasur me presidentin e klubit, Arsim Kabashin, më është kërkuar që në radhë të parë të dalim një herë në Europë dhe sigurisht titulli kampion.

Dhe ju e “tepruat”, sepse shkuat deri në fazën e grupeve…

(Qesh…) Sigurisht që nuk e kisha menduar se do të arrinim aty ku arritëm. Ishte një rezultat historik në disa aspekte: Ballkani për herë të parë fitoi titullin kampion, për herë të parë shkoi në Europë dhe për herë të parë Ballkani, gjithashtu ishte ekipi i parë kosovar, i cili shkoi në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Ishte një vit i çmendur sa u përket rezultateve, sepse edhe gjërat ndodhën shumë shpejt.

Cili ishte sekreti i këtij suksesi të jashtëzakonshëm?

Grupi i lojtarëve që kisha në dispozicion ka punuar jashtë mase dhe ka pasur një kohezion goxha të mirë, ku përveç lojtarëve me cilësi shumë të mira, ka pasur edhe lojtarë me shumë durim dhe me karakter e personalitet shumë të mirë sportiv. Padyshim, meritë të padiskutueshme ka edhe presidenti i klubit, sepse nuk ka zgjedhur vetëm lojtarë të mirë, por edhe me karakterin e duhur në aspektin njerëzor.

Nëse do ta krahasonit Ballkanin si skuadër me një nga ekipet e mëparshme me të cilat keni korrur suksese në Shqipëri, cila prej tyre është më e ngjashme?

Për nga madhështia e suksesit, por edhe për harmoninë në grup, mendoj se është më afër Skënderbeut. Shikoni, unë kudo ku kam drejtuar kam pasur në dispozicion skuadra të shkëlqyera, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe njerëzor. Mirëpo Skënderbeu ka shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Europës dhe Ballkani e bëri këtë në Ligën e Konferencës. Duket si “copy paste” në rezultate, sepse edhe me Skënderbeun i fituam të gjitha: kampionat, Kupë dhe fazën e grupeve. Këtu nuk fituam Kupën, por koha e suksesit ishte gjithashtu e shkurtër. Ishte rezultat historik.

A kanë qenë këto skuadrat më të kompletuara që keni pasur në aspektin sportiv?

Po, më të kompletuarat si cilësi.

A i ruani raportet me lojtarët që keni drejtuar në të kaluarën?

Po, i ruaj kontaktet dhe me 99% të tyre kam raporte shumë të mira. Natyrisht, ka edhe ndonjë që ka mbetur i pakënaqur, por me shumicën dërrmuese ruaj raporte vërtetë të mira.

A është e vërtetë se u larguat për shkak të tensionit që kishte mes jush dhe Olsi Ramës si drejtor?

Jo. Fatkeqësisht e kam dëgjuar shpesh këtë dhe nuk e di pse është krijuar ky perceptim. Por nuk është kështu, përkundrazi. Kam një raport shumë të mirë me Olsin (Ramën) dhe sa herë kthehem në Tiranë edhe mblidhemi për të kaluar pak kohë bashkë. Ruaj respekt për drejtuesit e Partizanit, sepse vërtetë kam pasur një bashkëpunim të mirë me ta.

Pse nuk ia dolët dot sezonin e dytë me Partizanin?

Sepse një pjesë e mirë e lojtarëve të rëndësishëm pasi nuk arritëm të merrnim dot titullin nuk pranuan të rinovonin. Kjo më pas solli ndryshime që kërkonin kohë, por siç thashë, Partizani dhe Tirana e kanë kohën të limituar për shkak të emrit që kanë.

Çfarë ka më mirë Kosova se Shqipëria dhe anasjelltas?

Në aspektin sportiv?

Po, në aspektin sportiv…

Shqipëria ka infrastrukturën. “Air Albania” të bën të ndihesh sikur je në një vend të zhvilluar të Europës, por shumë komodë janë edhe stadiumet e Elbasanit, Shkodrës dhe Kukësit. Në Kosovë mund të luash vetëm në Prishtinë një futboll cilësor dhe në stadiumin e Llapit. Edhe ky është një impiant i investuar nga një person, pra lekët e familjes. Nuk ka përfunduar ende, por mund të krahasohet me atë të Kukësit. Në këtë pikë Shqipëria është më para dhe duhen përgëzuar të gjithë faktorët, federata, shteti dhe të gjithë ata që kanë dhënë një kontribut

Meqë përmendët federatën, a e prisnit një ftesë për t’u bërë trajner i Kombëtares?

Tani është zgjedhur trajneri i ri i Kombëtares dhe nuk ia vlen të bëjmë komente. I uroj Silvinjos të ketë sa më shumë suksese dhe të çojë ekipin tonë kombëtar sa më lart.

Pra, nuk ndiheni keq që keni arritur gjithë këto suksese në karrierë, por nuk jua japin shansin për kombëtaren…?

Nëse do të më kishit pyetur para se të zgjidhej trajneri i ri, mund të kisha folur gjatë për këtë temë, por tani nuk ia vlen më.

Çfarë ndodhi 3 muajt e fundit te Partizani?

Ua thashë, 7-8 lojtarë nuk pranuan të rinovonin dhe na u desh të bënim ndryshime të mëdha. Por me thënë drejtën loja nuk mungonte, edhe pse kemi pësuar 8 gola në atë periudhë që… oh zot. Nuk di ç’të them se vetëm stafi teknik nuk kishte përgjegjësi aty, por kështu është kjo punë, në fund paguan trajneri.

Gundogan nuk rinovon kontratën me Cityn, drejt transferimit te Barcelona

Fadil Ademi zbulon katër ofertat, tri nga Superliga