Rrëfehet Kushtrim Mushica

‘Gardiani’ i Prishtinës dhe Përfaqësueses së Kosovës, Kushtrim Mushica është rrëfyer në një intervistë për Gazetaolle.com.

‘Mimi’ flet për eliminimin nga Llapi, si dhe zëvendësimin e tij në pjesën e parë.Raportet me trajneri Bylbyl Sokoli, thotë se janë të mirë derisa e pranon se atmosfera në ekipin kryeqytetas nuk është më e mira e mundshme. Flet edhe për ‘armën’ e vetme që i ka mbetur Prishtinës në këtë edicion, titullin e kampionit.

Olle: Kushtrim, ta nisim me ndeshjen e fundit, u eliminuat në Kupë nga Llapi…

Mushica: Ajo fushë as minimalisht nuk i ka plotësuar kushtet. Shumë pak kam besuar që mund të luhet në asi fushe një ndeshje futbolli. Unë dhe shokët e mi deri në momentin që ka nisur ndeshja nuk kemi besuar që do të luhet. Sa kemi mundur të kemi motiv në atë fushë?. Eliminimi jonë shkon direkt për shkak të fushës. Në çfarëdo fushe tjetër, do të ishim kualifikuar. Nuk po dua ta minimizojë Llapin por dihet cilësia e Prishtinës. Llapi fitoj edhe në saje të gabimeve tona. Gabimet erdhën nga fusha. Angazhimi ka qenë nga ana e lojtarëve pra, ne ia kemi bërë hyzmetin.

Olle: Si është atmosfera në ekip tashmë?

Mushica: Atmosfera nuk është më e mira e mundshme. Eliminimi nga Kupa ka qenë i rëndë sepse Prishtina gjithmonë ‘lufton’ në të dyja frontet, Kupë e kampionat. Ndoshta eliminimi erdhi sepse nuk po mund ta gjejmë motivimin më këta kundërshtarë e me këto fusha. Tash duhet të mendojmë për lojën e radhës, e kemi një kundërshtar që ka nevojë për pikë dhe gjithmonë një kësi lloj kundërshtari, mund të shkaktojë probleme (Trepça). Na ka mbetur kjo ‘armë’ (titulli) dhe nuk duhet ta humbim hapin.

Olle: Raportet tuaja me trajneri Bylbyl Sokoli, është thënë se nuk janë edhe aq të mira…

Mushica: Në çdo familje, në çdo shtëpi mundet me pas momente jo të këndshme. Mirëpo, nuk janë gjërat siç janë interpretuar. Nuk ka diçka që të diskutohet.

Olle: Le të rikthehemi edhe një herë te ndeshja me Llapin. U zëvendësuat në pjesën e parë. Si jeni ndjerë?

Mushica: Nuk e kam pritur që do të zëvendësohem. Ka edhe herë tjera kur trajneri pas pranimit të golit, e ka ngritur rezervën për nxemje. Trajneri po mendon se jam duke kaluar në krizë. Ai ka menduar që unë duhet të zëvendësohem. Ato janë vendime të tij dhe ka kush i vlerëson e i analizon. Koha i tregon të gjitha. Asnjë lloj veprimi i asnjë lojtari nuk ia vlen të diskutohet në atë fushë. Do ta përballojë edhe këtë sfidë. Kam ende për të dhënë.

Olle: ‘Lufta’ për titull vazhdon, një mendim i Mushicës?

Mushica: Deri në fund janë edhe 16-të ndeshje, ka shumë pikë. Jemi 22-lojtarë dhe kemi potencial. Edhe kundërshtarët tjerë kanë potencial si Besa që është ekip e ‘pjekur’, Trepça ’89, Hajvalia që e ka një ekip të mirë dhe atmosferë të mirë në ekip. Ata nuk e kanë presionin sikurse Prishtina, sepse tradita është ndryshe. Gjithsesi, ne besojmë në titull.