Rrëfehet De Biasi

Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi është rrëfyer gjerë e gjatë në një intervistë për mediat në Shqipëri.

Mister përshëndetje. Si po e shihni skuadrën. Sipas jush, është skuadra në formë?

Mungojnë katër ndeshje nga ndeshje situata për momentin është më shumë se e mirë. Jam i kënaqur.

Cili prej tyre të ka habitur të ka impresionuar me lojën e tij në këtë sezon?

Le të themi që të gjithë janë duke u sjellë mirë….

Armenia më 29 mars. Çfarë mendon për këtë skuadër që vendos shumë për të ardhmen tonë në eliminatore?

Armenia është një kundërshtar shumë i fortë. Duhet që ta respektojmë. Një skuadër që mbrohet në fushë me pesë mbrojtës, me një mesfushë që di të mbrojë shumë mirë dhe të sulmojë shumë mirë. Dhe me një Mkhitaryan, i cili është kthyer protagonist në Borusia Dortmund.

Një mendim për Kas Lozanë. Nëse fitojmë tri pikët, Franca është më afër?

Shpresoj që KAS të bëjë drejtësi. Nëse do të marrim një trepikësh që e meritojmë, do të jetë një mundësi më shumë për ne, por rrugëtimi ynë me Portugalinë e Danimarkën që “vrapojnë”, gjithsesi do të jetë i vështirë.

Një mendim sesi e shihni situatën e Andi Lilës, Etrit Berishës e Armando Vajushit?

Janë 3 situata të ndryshme. Berisha është një siguri për mua edhe pse nuk po luan. Vajushi sapo ka mbërritur në Itali dhe nuk është ende në 100 për qind të formës së tij. Pikërisht dje ishte në bankinë (intervista është bërë ditën e hënë). Andi po përjeton një situatë të pabesueshme. Pas ardhjes së tij u dëmtua por tani është duke u riaftësuar, por problemi i vërtetë mbetet klubi në rënie të lirë!

Ta themi të shkoqur. Armenia është skuadër e cila mund të mundet?

Të gjitha skuadrat mund të munden. Shihni Portugalinë në shtator… Kjo sigurisht nuk do të thotë dhe të interpretohet se tashmë kemi fituar. Për të fituar duhet të përgatitemi mirë, mendërisht dhe fizikisht. Sigurisht duhet të fitojmë faktikisht dhe të kemi dëshirë më shumë se ta në fushën e lojës.

Shumë emra të rinj për Kombëtaren në qarkullim. Fjalë…

Besoj se kemi ndërtuar një grup solid që na jep garanci. Ju e dini që unë gjithmonë kam thënë që nëse shpërthen ndokush do ta vlerësojmë lojën e tij për ta bashkuar me ekipin e parë.

Si është një ditë juaja kur ju jeni në Itali?

Punoj për të përgatitur eventin e radhës së kombëtares shqiptare. Nuk harroj të kërkoj, të shoh lojtarë të rinj për t’i futur në përfaqësuese në të ardhmen! Udhëtoj duke parë ndeshje futbolli, organizoj takime me bashkëpunëtorët e mi dhe planifikoj çdo detaj.

Vendi më i bukur që keni parë në Shqipëri që prej mbërritjes tuaj.

Si “turist çiklistik” kam zbuluar Shqipërinë e Jugut. Shumë e bukur me detin dhe plazhet fantastike në Ksamilin, Porto Palermon Dhërmiu. Me shumë sharm qyteti i Beratit me atë kështjellë që dominon qytetin, me qytetin e vjetër poshtë. Edhe Gjirokastra më ka pëlqyer. Pjesa historike me kështjellën dhe qytetin e vjetër.

Kush e fiton Championsin dhe Italia mund të marrë trofeun e Evropa League në maj pas shumë vitesh…

Për këtë është e vështirë që të thuash diçka. E mbani mend vjet të gjithë vinin gishtin te Bajerni, dhe më pas kjo skuadër u dërrmua nga Reali në mënyrë shumë të thjeshtë. Këtë vit lufta do të jetë mes Çelsit, Bajernit, Realit e Barçës. Shpresoj që të gaboj dhe Juventusi t’i shkojë në fund kësaj gare! Për Europa Leaguen më vjen keq që ka derbi italian mes Fiorentinës e Romës, por shpresoj që të shoh njërën prej tyre në finale.