Rrefehet Agolli

“Rruga ka qenë shumë e gjatë dhe e lodhshme, por pas një fitore të rëndësishme, harron gjithçka, madje dhe stërmundimin…”. Ansi Agolli tashmë është mësuar me transferta të gjata. Ai është një nga ata futbollistë që kur thërritet nga Kombëtarja, do të ishte gati që të bënte valixhen edhe në 3 të mëngjesit dhe t’i hypte avionit në të gdhirë, me destinacion Shqipërinë. Fanella kuqezi është më shumë se aq për të, është nderi, krenaria dhe sidomos ëndrra për të shkruar historinë dhe përfaqësuar një komb. Por, sikur të mos mjaftonte ovacioni në “Elbasan Arena”, ish-futbollisti i Tiranës, në mbërritje në Baku të Azerbajxhanit, është pritur si një hero… “Madhështore”, do të thoshte ai. Më shumë se sa në miqësoren e para dy vjetësh, kur Shqipëria mundi 2-0 Armeninë. Një rivalitet, mes azerëve dhe armenëve, që shkon përtej futbollit dhe që ka dekada të tëra që është i ndezur nga urrejtja. Dy kombe që nuk e shohin me sy njëri-tjetrin, ndërsa në mes, Ansi Agolli, që mundohet t’i dhurojë gëzim dhe lumturi, një farë hakmarrje tifozëve dhe skuadrës së tij, e cila nuk jeton në Agdam, qyteti “fantazëm” tashmë (rrënoja të një lufte të përagjakur)… Nga Tirana në Baku, janë 3215 km, por për mbrojtësin e majtë të Kombëtares, ishte “thjesht një shëtitje”, shkruan Sport Ekspres..

–           Ansi, mos më thoni që në aeroport ju priti trajneri me paratë e premios?!

–           (qesh)… Jo, jo. Preferoi të më priste në klub, kur edhe shkova pak me vonesë, pasi ditën e hënë isha në udhëtim.

–           Dhe çfarë ndodhi, si ishte pritja?

–           Që në aeroport kishte shumë pak tifozë dhe persona që njihja, që më uruan, pa harruar që telefoni mu fik dy herë nga mesazhet.

–           Po në klubin e Karabahut?

–           Më mirë s’po ju them. Një festë e jashtëzakonshme. Më priten si hero, madhështore gjithçka.

–             Dhe, a e dini se kush ishte më e bukura? 

–             Që gjithçka u bë në mënyrë spontane, krejt të rastësishme. Nuk ishte organizuar asgjë, pasi nuk e dinin se kur do të mbërrija. Më kishin dhënë një leje pak më të gjatë, për shkak të rrugës.

–           Po premion e morët?

–           Sigurisht që po, le të themi që trajneri u tregua “burrë”, duke mbajtur fjalën.

–           Domethënë, edhe Teli përfitoi?

–           Patjetër, jemi në paketë kur fiton Shqipëria ndaj Armenisë…

–           Kush do t’ia japi darkën njëri-tjetrit?

–           Mendoj Teli ma ka mua, por nuk është problem kjo gjë.

–           Të kthehemi pak tek entuziazmi që të pritën. Si është e mundur që të ndodhë ashtu me azerët?

–           E thjeshtë, ata e përjëtojnë njësoj sikur të luanin vetë. Madje, m’u duk vërtet sikur kishin luajtur Azerbajxhan-Armeni.

–           Kalojmë tek ndeshja, që është edhe aspekti më i rëndësishëm. Mund të themi se është një nga paraqitjet më të mira që keni zhvilluar ju individualisht?

–           Po, mund të qëndrojë kjo që thoni, por do të doja që të përfshija edhe skuadrën. Kjo ka qenë një nga ndeshjet më të mira të Kombëtares sepse u përmbys rezultati dhe nuk është asnjëherë e lehtë në një ndeshje ku ke presion dhe rëndësia është e madhe. Sidomos, për nga mënyra se si erdhi përmbysja.

–           Trajneri De Biazi tha “besoja deri në fund që do ta përmbysnim, sepse po sulmonim”… Po ju, sa e besuat këtë gjë, sidomos kur kishte mbërritur mintua e 70-të e takimit?

–           Të jem i sinqertë, edhe kur pësuam gol, që në fillim, që mund të ishte goditje për këdo, mendoja se do ta përmbysnim. Por, kisha vetëm frikën e ndonjë kundërsulmi të atyre, pasi janë të rrezikshëm. Pastaj, nisëm të shpërdoronim shuam raste dhe me veten time thoja “çfarë është ky fat i keq”. Por, besimin nuk e humba kurrë dhe doja që ta përmbysnim këtë ndeshje. Për fat të mirë, ashtu ndodhi.

–           Dy nga zëvendësimet në pushim ishin Lenjani në vend të Memushajt dhe Gashi në vend të Abrashit. A ishte kjo shkëndija që i dha start përmbysjes?

–           Edhe pse duhet thënë që në pjesën e parë krijuam gjithashtu disa raste të rrezikshme, sigurisht që aktivizimi i Lenjanit dhe Gashi ndryshoi çdo gjë dhe u bëmë më ofensiv, duke vënë në vështirësi kundërshtarin.

–           Pas kësaj fitore, a janë të mëdha shpresat për të shkuar në Francë, këtu duke përfshirë edhe ndonjë vendim “pro” nesh në Gjykatën e Lozanës, në “KAS”?

–           Mendoj se kemi hedhur një hap të rëndësishëm, por për mua personalisht eliminatoret fillojnë në këtë moment, kur edhe kemi disa ndeshje shumë të rëndësishme.

–           A është kjo Kombëtarja më e fortë që kemi pasur, duke përfshirë cilësitë dhe alternativat që kemi në stol?

–           Trajneri De Biazi ka krijuar një ekip sipas fizionomisë së tij dhe lojtarët që grumbullon janë ato të cilët i përshtaten fizionomisë së tij. Nuk nuk kemi as Zidan dhe as Roberto Baxhio në ekip, për të marrë shembull, por kemi lojtar me mushkri të mëdha që vrapojnë dhe sakrifikohen. 90 minuta pa pushim. Kemi lojtarë që djersisin për skuadrën.

–           Pra, si është në krahasim me Kombëtaret e tjera që kemi pasur?

–           Nuk mund ta krahasoj, por kjo aktuale, siç e thashë, është e punës dhe e sakrificës. Të 28 futbollistët që janë aty janë njësoj si ato që luajnë dhe nuk luajnë

–           Një dedikim për këtë fitore?

–           Për trajnerin dhe për ato 1 milionë azerë të shpërngulur nga Agdam për shkak të gjenocidit armen.

 

Dedikimi historik

 

“Ia dedikoj këtë sukses trajnerit, tifozëve dhe sidomos atyre 1 milionë azerëve që u shpërngulën nga qyteti Agdam për shkak të gjenocidit armen”

 53 ndeshje

Ka zhvilluar mbrojtësi 32-vjeçar me Kombëtaren. Ai ka debutuar në ndeshje zyrtare me fanellën kuqezi në eliminatoret e Botërorit 2006, në Gjermani. Ishte 3 shtator i vitit 2005 dhe mori vendin e Haxhit ndaj Kazakistanit

 108 ndeshje

Ka zhvilluar Ansi Agolli me fanelën e Karabag, duke shënuar edhe 3 gola

 Fanella për tifozët e Tiranës

Në fund të ndeshjes, ndaj Armenisë, Ansi Agolli, është drejtuar për në tribunën pas njërës portë, ku ishin vendosur tifozët e Tiranës, pjestarët e grupit “Tirona Fanatics”, duke i dhënë edhe fanellën e ndeshjes. Mbrojtësi ka një të shkuar si bardheblu dhe, madje, kur të vijë momenti për t’u kthyer në atdhe të luajë, ka vendosur që të veshë pikërisht fanellën e Tiranës.