Rrahmani: Pas tre muajsh mungesë mendoj se është në rregull edhe një gol

Në ndeshjen e parë pas kthimit nga lëndimi që e mbajti jashtë fushës që nga 12 tetori, Albion Rrahmani shënoi gol. 

Rrahmani realizoi nga penalltia në barazimin 3:3 të Rapidit me skuadrën turke Sakaryaspor.

Rrahmani u aktivizua nga minuta e 61-të dhe sipas mediave rumune ka shfaqur dëshirë të madhe në lojë. Te Rapidi debutuan Florent Hasani e Ermal Krasniqi, që luajtën vetëm pjesën e parë. Të dy i janë bashkuar së fundi Rapidit. Hasani u transferua nga Tirana, ndërsa Krasniqi nga Cluji rumun.

“Natyrisht kur kthehesh me gol në skuadër është gjë shumë e mirë. Jam i lumtur, ndërsa kam pasur më shumë shanse për të shënuar. Pas tre muajsh mungesë mendoj se është në rregull edhe një gol. I jam bashkuar programit të ekipit. Kam ushtruar shumë mirë dhe jam i lumtur që jam në ekip që nga ndeshja e parë”, ka thënë Rrahmani për “fanatik.ro”.

23-vjeçari i kishte shënuar gjashtë gola në gjashtë paraqitjet me Rapidin para se të lëndohej. Ai ishte lënduar derisa po luante me Kosovën.

Kisha emocione kur u futa në fushë. Tre muaj është kohë e gjatë. Jam i lumtur që jam kthyer”, ka thënë Rrahmani.

Ai është i lumtur për transferimin e Krasniqit nga Rapidi. Dy lojtarët kanë luajtur së bashku edhe te Ballkani. Rrahmani tashmë ndihet plotësisht gati dhe mezi pret të fillojnë ndeshjet kampionale.

“Jam 100 për qind gati në aspektin fizik pasi kam ushtruar në Kosovë. Kam filluar vet me stërvitje që të jem gati. Mezi pres të jem në fushë më 19 janar. Do të jemi në zjarr në Giulesti”, ka shtuar Rrahmani.

Rapidi është i katërti me 33 pikë. FCSB është shkëputur me 44 pikë. Por ka edhe shumë ndeshje deri në fund të kampionatit.

“Dua të luftoj për titull. Secili lojtar e dëshiron këtë. Është shumë me rëndësi për ne të ecim para. Jam i lumtur nëse e ndihmoj ekipin. Nëse shënoj gola do të jetë edhe më mirë. Por së pari dua ta ndihmoj ekipin ta fitoi titullin. Jam i gatshëm për ta bërë këtë”, ka theksuar Rrahmani.

Nuk luajti fare, por Bellingham me gjestin e tij me fëmijën e topave ka shtuar miliona fansa nëpër botë 

Rey Manaj “magjik”, shënon dygolëshin e radhës në Turqi