Rrahmani: Këto ndeshje na shërbejnë për Ligën e Kombeve, Hungaria kundërshtar shumë i fortë

Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani ka dalë në konferencë për shtyp për të folur për duelin miqësor që e zhvillojnë Dardanët me Hungarinë.

Qendërmbrojtësi i Napolit nuk luajti në ndeshjen e parë ndaj Armenisë dhe nesër mbrëma pritet të jetë titullar nga minuta e parë.

Kapiteni dardan ka thënë se është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe i ndihmon atyre që të përgatiten për Ligën e Kombëve dhe për ta kuptuar se çka kërkon trajneri.

“Ndeshja ka rëndësi sepse është përgatitore për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Duhet të shohim se çka kërkon trajneri dhe të ndjekim planin e idetë e tij. Është ndeshje e rëndësishme”.

“Na duhet kjo ndeshje, pasi luajmë kundër një kundërshtari shumë të fortë me lojtarë që luajnë në klube të forta evropiane. Shpresoj të paraqesim në fushë atë që trajneri kërkon”, ka thënë Rrahmani.

Tutje Rrahmani foli edhe për kërkesat që ka përzgjedhësi Foda ndaj futbollistëve, duke thënë se gjermani kërkon presing të shpejtë.

“Trajneri i ka idetë e veta dhe dëshiron të bëjmë presion të lartë në pjesën e fushës së kundërshtarit. Dhe nëse arrijmë ta fitojmë topin ta mbyllim aksionin, pasi në atë formë jemi më afër portës dhe mundësitë janë më të mëdha për të shënuar”.

“Por kur humbasim topin, duhet të luajmë presing të shpejtë. Kjo është një pjesë e asaj që trajneri ka kërkuar nga ne”, ka deklaruar kapiten dardan, Amir Rrahmani. /Gazeta Olle/

Foda mezi pret përballjen me Hungarinë në Puskas Arena

Mbrojtësi hungarez Lang: Nuk duhet bëjmë gabime ndaj Kosovës