Rrahmani flet pas ndeshjes së parë 90 minutëshe me Napolin dhe tregon objektivin e klubit

Amir Rrahmani më në fund ka luajtur një ndeshje zyrtare të plotë me fanellën e Napolit.

Mbrojtësi ishte protagonist në fitoren e mbrëmshme 3-2 ndaj Empolit që kualifikoi Napolin në çerekfinalet e Kupës së Italisë.

Një mundësi e mirë që Rrahmani të linte pas paraqitjen e dobët të fundjavës në kampionat, shansi që Gattuso i kishte premtuar që pas asaj sfide.

Rrahmani u paraqit mjaft mirë në ndeshjen e mbrëmshme e natyrshëm që ishte i lumtur për atë që arriti me skuadrën në një ndeshje që u komplikua disi.

“Sfidat e Kupës janë të vështira, të gjithë duan të kualifikohen. Por ne kemi bërë një ndeshje të madhe”.

“Gattuso na tha që ishte e rëndësishme të kalonim turin. Tani na pret një kundërshtar i forte”, tha Rrahmani për ‘RAI Sport’ pas duelit.

Reprezentuesi kosovar u pyet nëse skuadra e tij Napoli është për titull, por ai tha se objektivi është fillimisht të jenë në top katërshe.

“Po, mundohemi të bëjmë punën tonë dhe të ecim përpara në Serinë A si dhe në Kupë. Objektivi ynë është të arrijmë mes katër ekipeve të para, pastaj nuk i dihet kurrë çfarë mund të ndodhë”, deklaroi mbrojtësi kosovar. /Gazeta Olle/