Ronaldo për transferimin në Arabi: Jemi një ligë më e fortë se ajo e Francës

Cristiano Ronaldo nuk pendohet për transferimin e tij në Arabinë Saudite te Al-Nassr, madje portugezi është i bindur se aktualisht kampionati arab është më i fortë se Ligue 1 në Francë.

“Zgjedhja për t’u transferuar në Arabinë Saudite ishte e duhura dhe zgjedhja më perfekte që mund të bëja. Arabia Saudite sapo e ka nisur rrugëtimin dhe do të duhet pak kohë për t’u rritur. Por, hap pas hapi niveli do të rritet dhe pas disa vitesh mendoj se ky kampionat do të jetë një ndër tre më të fortët në botë. Njerëzit këtu në Arabinë Saudite kanë për t’u ndjerë krenarë. Kjo ligë nuk është më pak e fortë se Ligue 1, madje mendoj se është më e fortë. Pas një viti që kam kaluar këtu, mund ta them këtë me siguri të plotë”, u shpreh CR7.

Më tej, Ronaldo u ndal edhe te objektivat e realizuara në vitin 2023 ku u shpall golashënuesi më i mirë duke konkurruar edhe me Haaland apo Mbappe ndërsa shtoi se do të vazhdojë të luajë deri kur fiziku ta lejojë.

“Isha golashënuesi më i mirë, mposhta “kafshë” si Haaland. Jam shumë krenar për këtë, edhe pse së shpejti do të mbush 39-vjeç. Më pëlqen kur njerëzit ende dyshojnë tek unë dhe më pas i befasoj, unë nuk ndikohem fare nga kritikat. E ardhmja? E marr jetën ditë pas dite. Ndjehem mirë dhe e di që mund të ndihmoj skuadrën dhe kombëtaren, do të vazhdoj derisa të kem fuqi. Mund të ndalem pas 30 ditësh, por mund të ndalem edhe pas 10 vitesh”, përfundoi Ronaldo. /Gazeta Olle/

Kosova u18 pëson humbjen tjetër, kësaj radhe nga Maqedonia e Veriut

Ballkani dhe Prishtina luajnë sot finalen e Superkupës së Kosovës