Rogova: Tifozët e Drenicës e meritojnë një trofe, do të mbesim në Superligë

Klubi Futbollistik “Drenica” me lehtësi ka arritur të kaloj në çerekfinale të Kupës së Kosovës.

Skuadra drenicase e ka mposhtur Ulpianën me rezultat të thellë 4-0.

Golat për “kuqezinjtë” i realizuan Donald Rapo, Kreshnik Uka dhe dy gola tjerë sulmuesi, Baton Zabërgja.

Futbollisti i mirënjohur kosovar, Dardan Rogova, ka folur për Gazetën “Sheshi”.

Sipas Rogoves, synimi i Drenicës është edhe Kupa e Kosovës aty ku do të tentojnë të dalin në garat evropiane.

“T’u e ditë që e kemi synim fitimin e Kupës së Kosovës, kemi hyrë në ndeshje ndaj Ulpianës me seriozitetin më të madh dhe besoj që rezultati final ishte i pritshëm”, tha Rogova.

Sulmuesi gjakovar gjithashtu ka folur edhe për objektivin e klubit ku sipas tij është qëndrimi në Superligën e Kosovës dhe ta fitojnë Kupën.

“Vetë pozita në tabelë besoj që na jep motiv shtesë që çdo ndeshje të hyjmë për fitore dhe besoj që kemi ekip mjaftë të mirë që në çdo sfidë të japim maksimumin. Objektivi kryesor është qëndrimi në Superligë, por gjithashtu synim e kemi edhe Kupën e Kosovës”, potencoi sulmuesi gjakovar.

Për fund, Rogova, ka edhe një premtim për tifozët e zjarrtë të Drenicës.

“Do mundohemi t’i gëzojmë tifozët me lojëra të mira, po ashtu edhe me rezultate dhe pse jo edhe me ndonjë trofe sepse e meritojnë”, përfundoi Rogova.

Drenica pozicionohet në zonën e rrezikshme në vendin e nëntë me 19 pikë të mbledhura pas tetëmbëdhjetë ndeshjeve të zhvilluara.