Rodri: Nuk e ndryshojmë stilin tonë të lojës

Spanja u kualifikua për në fazën me eliminim direkt në Kupën e Botës, por vendi i dytë në Grupin E nuk la një shije të mirë, sidomos pas disfatës në ndeshjen e fundit ndaj Japonisë. Së fundmi, është Rodri që iu bën thirrje të tijve për më shumë përqëndrim duke theksuar se skuadra pësoi 10 minuta kolapsi ndaj Japonisë dhe në një moment tjetër diçka e tillë mund të kushtojë shumë.

“Ndaj Japonisë kaluam dhjetë minuta kolaps, por tashmë jemi të paralajmëruar pasi një gol të kushton eliminimin. Kemi analizuar videon e golave të shënuar dhe trajneri na e ka theksuar se diçka e tillë mund të përsëritet. Do të na duhet të stërvitemi shumë. Megjithatë, për të gjithë kohën kemi kryesuar grupin dhe ishin vetëm tre minuta kur mbetëm jashtë Botërorit, ndërsa nga ana tjetër, Gjermania ishte thuajse gjithë kohën jashtë. Nuk dua të merrem me spekulime, por pasi u rikthyem në ndeshje, Japonia po mbrohej shumë mirë dhe ne na mungonte pak freskia apo edhe finesa”.

Megjithatë, Rodri i cili në këtë Botëror po aktivizohet në rolin e qendërmbrojtësit, këmbëngul në vijim se Spanja nuk do ta ndryshojë filozofinë e saj dhe do të kërkojë sërish të jetë në kontroll të lojës me anë të qarkullimit të dendur të topit.

“Ne nuk do të ndryshojmë stilin tonë të lojës për shkak se gabuam në një ndeshje, futbolli është një lojë që ka brenda suksesin, por edhe dështimin. Ne do të vijojmë me filozofinë tonë, duke e ditur se në një ndeshje detajet bëjnë diferencë. Nuk duhet të ndërmarrim shumë rrisqe, por duhet të qëndrojmë me “këmbë në tokë” dhe me mendje të ftohët”, u shpreh Rodri.

Angli – Senegal, formacionet zyrtare

Te Argjentina e ndien lodhjen pasi nuk kanë bërë fare rotacion