Rockets pa problem me New Orleans

Vijon momenti pozitiv për Houston Rockets në NBA. James Harden me 25 pikë dhe 10 asiste udhëhoqi skuadrën teksane drejt një tjetër suksesi. Në Smothie King Center të Louisiannas Houston kaloi me rezultatin e ngushtë 95-93 New Orleans Pelicans duke u shkaktuar këtyre të fundit disfatën e 4-t radhazi. Tyreke Evans edhe pse rezultoi pikëshënuesi më i mirë i kësaj sfide me 28 pikë të realizuara nuk arriti të evitonte dot humbjen e skuadrës së tij. Edhe Anthony Davis zhvilloi një ndeshje të mirë teksa përvec 24 pikëve të realizuara ndihmoi New Orleans edhe me 14 rebound por edhe paraqitja fantastike e yllit të saj nuk i shërbeu për asgjë formacionit nga Louissiana.

Në takimet e tjera të Nba spikat fitorja e thellë 111-89 e Cleveland Cavaliers përballë Memphis Grizzlies brenda në Tenneessee. Ishte treshja e ëndrrave Irving-Love-James ajo që udhëhoqi skuadrën nga Ohio drejt një tjetër suksesi. Të tre së bashku realizuan 66 pikë gjithsej në këtë sfidë. John Wall shkëlqeu mbi parket duke realizuar në total 34 pikë por paraqitja e tij nuk i mjaftoi Washingtonit që u mposht nga Indiana në kryeqytet me rezultatin 103-101. Të pranishëm në Verizon Center për të ndjekur këtë sfidë ishin edhe futbollistët e përfaqësueses argjentinase të futbollit, madje Lionel Messi dhe Javier Mascherano u entuziasmuan kur kamerat i fokusuan në plan të parë.