Kaloni në dark mode që është më i përshtatshëm për sytë gjatë natës.

Kaloni në light mode që është më i përshtatshëm për sytë gjatë ditës.

Kaloni në dark mode që është më i përshtatshëm për sytë gjatë natës.

Kaloni në light mode që është më i përshtatshëm për sytë gjatë ditës.

Rizgjedhja si Presidenti i FSHF-së, Duka shpalos vizionin e tij për të ardhmen e futbollit shqiptar

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë në intervistë për emisionin “Skaner” të gazetarit Gerti Çarçani në MCN TV, ku ka diskutuar për shumë tema në daljen e tij të parë pas rizgjedhjes në krye të FSHF-së për një mandat 4-vjeçar.

Sigurisht, Presidenti Duka ka folur gjatë për problematikat gjatë fushatës zgjedhore dhe ndërhyrjen e palëve të treta në proceset zgjedhore të shoqatave rajonale, teksa e ka vënë thelbin te lënia pas e të gjitha hatër mbetjeve për t’u fokusuar në të ardhmen dhe zhvillimin e futbollit shqiptar.

Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar është ndalur edhe në projektet e të ardhmes, objektivat dhe vizioni i tij për të rritur akoma më shumë cilësinë e futbollit dhe për t’u dhënë fëmijëve tanë kushte më cilësore e dinjitoze për të luajtur futboll.

Më poshtë, intervista e plotë e Presidenti të FSHF-së, Armand Duka, për emisionin “Skaner” në MCN TV:   

 

Asambleja Zgjedhore – Mund të quhet si një fund i lumtur, për Asamblenë që u mbajt dje, me pjesëmarrjen, me mënyrën se si u bë dhe me produktin që nxori. Fushata vërtetë ka qenë e pazakontë, apo periudha para-zgjedhore, sepse as unë si kandidat, as kandidatët e tjerë, qoftë për Komitetit Ekzekutiv nuk u paraqitëm as nëpër media apo studio për të shpalosur apo diskutuar programet e tyre, por ishte një fushat ë pazakontë.

Nga një anë sharje, fyerje dhe përbaltje dhe nga ana tjetër, qetësi, sportivitet dhe vazhdimi i punëve. U la pak për t’u diskutuar dhe për këtë më vjen keq edhe për ata që konkurruan për president të FSHF, mbase nuk e gjetën hapësirën ose kohën e përshtatshme për të shpalosur projektet e tyre për zhvillimin e futbollit. Gjithsesi, ne me komunitetin e futbollit i kemi diksutuar, i kemi shpalosur dhe i kemi thënë objektivat në linçimin e strategjisë “Futbolli për Kombin 2025”, ku ne kemi vendosur objektiva, kemi vendosur edhe rrugët në mënyrë të detajuar se si t’i arrijmë këto objektiva për ta çuar përpara jo vetëm institucionin, por lojën në përgjithësi.

Jeta gjithmonë kështu është me debate. Jo gjithmonë ke të njëjtat. Janë eksperienca që do të duhen dhe nuk është se më kë lodhur shumë. Do të doja të diskutonim për atë çfarë është e rëndësishme para një Asambleje Zgjedhore, do të doja të diskutonim të gjithë bashkë për futbollin, për mënyrën e menaxhimit dhe të dëgjoja edhe më shumë projekte të tjera, nga të tjerët, që nuk i dëgjova dot.

Nuk kam pasur kohë për të humbur kot. Kam shfrytëzuar kohën për të pasur rendiment, për të bërë punët që më takojnë të bëj, jo vetëm për fushatën zgjedhore, por edhe për të vazhduar menaxhimin e FSHF-së, për të vazhduar ato projekte që kishim në dorë, për të përfunduar strategjinë dhe për ta shpalosur atë. Daljet për t’i dhënë përgjigje atyre shpifjeve, sharjeve dhe ofendimeve pa asnjë lloj baze, më janë dukur humbje kohe.

Vendimet e gjykatave – Sot nuk mund të them se nuk do merrja asnjë vendim ndryshe, nga ato vendime që janë marrë nga mua. Ka edhe vendime që nuk kanë qenë të miat, përfshi dhe atë që zgjedhjet e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, pavarësisht se unë e konsideroj një vendim të turpshëm, por gjithsesi është një vendim gjykate dhe ne e kemi respektuar. Është një vendim absurd që nuk mund të ndodhë në asnjë vend të botës, që pasi ke mbaruar një Asamble, një minorancë, e cila nuk është dakord me Asamblenë dhe zgjedhjet e saj, të mblidhet në një vend tjetër. Nëse mund të bëjë një paralelizëm, mblidhet Parlamenti i Shqipërisë me 140 deputetë dhe zgjedh Presidentin e Republikës me 100 vota, ndërsa 40 të tjerët dalin në një kënd sportiv dhe thonë jo, Presidenti i Republikës do të jetë filani dhe gjykata e pranon atë. Ndodhur para këtij absurdi, ne kemi thënë që do të respektojmë vendimin e Gjykatës, por jo se jemi dakord me atë. E konsideroj një precedent të rrezikshëm për jetën e vetë FSHF-së, SHRFT dhe një ofendim për ata që ishin në asamble, por jemi të detyruar ta respektojmë vendimin e Gjykatës dhe ta ankimojmë atë, kemi ndjekur rrugën ligjore.

Koha e humbur kot, cenon futbollin, cenon vazhdimin e punëve në mënyrë normale. Unë nuk jam dakord me asnjë nga vendimet që kanë qenë për pezullim, pavarësisht se ato janë tërhequr nga vetë ankimuesit. Janë inskenuar në mënyrën më të turpshme të mundshme nga dirigjenti jashtë gjykatave, por gjithsesi ne i kemi respektuar si vendime gjykate. Kemi pritur që ato të tërhiqen, madje kemi pritur që të zbardhet vendimi dhe pastaj të bëhen zgjedhjet, që të mos ketë mundësi për asnjë lloj kontestimi. Nuk sjellin asnjë zhvillim pozitiv dhe nuk kanë pasur asnjë bazë, asnjë argument. E konsideroj kohë të humbur këtë. Nuk besoj se jep ndonjë fryt për federatën. Vendimet kanë qenë absurde, që do të thotë, shoqata e shoqatës ka kërkuar në Gjykatë që “bllokoni Asamblenë se unë më vonë do të sjellë ca argumente që vërtetojnë se procedurat kanë qenë të parregullta”. Me këtë lloj vendimi mund të bllokosh çdo mbledhje.

Pavarësisht se ne i kemi zbatuar, në Statutin e FSHF-së të gjitha ankimimet duhet të bëhen në rrugë sportive, në gjykatat sportive që janë në FSHF dhe në shkallën e fundit që është KAS-i Lozanës. Në këtë drejtim, ato kanë qenë ankime të paligjshme, por ne i kemi respektuar të gjitha, për të mos lënë një vend për t’u kapur nga të tjerët më vonë. Në risk jemi çdo ditë, në risk jemi sapo dalim nga shtëpia. Ne po flasim për gjëra normale se çfarë do të ndodhë. Nëse dikush i ka në dorë për të lëvizur gjërat dhe të lëvizë të gjitha fijet në këtë vend, atëherë risku është akoma më i madh.

Thirrja për bashkim – Palët janë në pozicionin që duhet të jenë kur janë të gjithë bashkë në të mirën e futbollit. Futbolli është një lojë me interes publik, nuk është thjesht një garë dhe kur të gjithë palët bëhen bashkë për të mirën e futbollit, atëhere janë në vendin e duhur. Nëse janë të distancuara nga njëra-tjetra është keq për atë që është objektivi jonë kryesor, që është futbolli. Duke pasur parasysh që objektivi jonë është zhvillimi i lojës, përmirësimi i saj, mirëorganizimi, përmirësimi i infrastrukturës, rezultatet, etj., gjithmonë ne i kërkojmë të gjithëve të hyjnë në këtë llogore për të mirën e futbollit. Të harrojmë çdo lloj mërie, pakënaqësie apo hatërmbetje personale.

Kërkoj një bashkim në emër të lojës dhe jo në emër të Armand Dukës. Bashkim në emër të fëmijëve tanë, ne këtu jemi për futbollin, që është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë duhet t’i bashkojë të gjithë për të njëjtin qëllim. Kjo nuk do të thotë se ne nuk do të kemi kritika apo vërejtje për njëri-tjetrin. Të gjitha Asambletë kanë qenë “fair-play”. Nuk besoj se në ndonjë organizatë tjetër në Shqipëri, është më mirë se kaq.

Në Asamblenë kanë munguar vetëm 6 delegatë, të cilët dihet se janë kryetarë bashkish dhe kishin urdhër politik për të mos qenë në atë Asamble. Me ndonjë përjashtim të vogël, futbolli ishte i gjithi aty. Unë nuk besoja se do të ishin kaq shumë të bashkuar, nëse nuk do të ishte furtuna kaq e madhe. Furtuna i detyroi njerëzit të bashkohen rreth familjes së vet për të mbrojtur familjen e futbollit. Duke qenë se investojnë shumë nga vetja, kërkojnë që këto investime t’i mbrojnë. Kjo i detyroi për të qenë më të bashkuar. Nuk më ka ndodhur kurrë që e gjithë Superiorja të më mbështesë e gjitha.

Para se të shkoj në Asamble kam pyetur veten nëse e meritoj ta vazhdoj apo jo këtë mision. Kam parë se çfarë kemi bërë dhe pavarësisht se thuhet si një batutë për konsum para zgjedhjeve, se do të konsultohem me masat, unë realisht jam konsultuar me anëtarët e familjes së futbollit dhe kam dëgjuar shumicën e tyre. Dua të jetoj dhe nuk dua bust. Në çdo vend që shkoja më thoshin njerëzit që të mos dorëzohem. Nuk e kuptova se për çfarë duhet të dorëzohesha, isha në punë time, e bëj më pasion punën dhe nuk e kam kuptuar së për çfarë duhet të dorëzohem. Mund të tërhiqesh se je i lodhur, se nuk arrin të bësh dot objektivat që i ke vënë vetes ose kur sheh që të tjerët nuk të besojnë më, ndërsa të dorëzohesh është një gjë tjetër.

Tritoli dhe sulmet – I qetë apo jo, atë e di unë si kam qenë. Por familja ime gjatë kësaj periudhe ka kaluar momente të vështira. Nuk është e lehtë që të dëgjosh në TV një njeri gjoja të pushtetshëm me gjëra hekuri, që thotë llumi, familja, nuk është kollaj, që të dëgjosh këto për babanë, prindin apo edhe bashkëshortin. Ata kanë kaluar stres më shumë se unë dhe unë dua t’i falënderoj që më kanë mbështetur për të mos u dorëzuar. Faktikisht unë nuk e kam vazhduar këtë vetëm për vete. Dorëzimi dhe tërheqja, do të ishte tradhti për ata që më mbështesin.

Realisht ndihem i obliguar për familjen e futbollit. Nuk dua të konsideroj asnjë kundërshtar. Dua që të gjithë të jemi të bashkuar për një objektiv madhor, që është futbolli, jo për interesa personale. Nga kampi kundërshtar kam dëgjuar: ‘Ore çfarë iu keni bërë këtyre njerëzve që në çdo kohë thonë që jemi me Federatën?!’ Mbase edhe ata që ishin kundërshtarë u bashkuan për të mirë e futbollit, për të mirën e komunitetit të tyre.

Çështjet statutore – Statuti i FSHF është bërë nga ekspertë goxha të mirë të fushës, jo vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, që është përpjekur të parashikojë gjithçka. Nuk besoj se ka ndonjë Kushtetutë në botë që në fund sheh që qenka edhe një gjë që duhet përmirësuar dhe prandaj vazhdojnë e përmirësohen. Procesi ka qenë shumë i mirë, shumë i pranueshëm, por padyshim që mund të ketë vend për rregullime. Meqë jemi te statuti, mendoj që ky është Statuti më i mirë që ka pasur FSHF, sepse parashikon përfaqësimin e të gjithë atyre që merren me futbollin në Shqipëri dhe në një lloj mënyrë merr parasysh edhe realizimin e objektivave që ka futbolli shqiptar, rritjen e numrit të njerëzve që merren me futbollin. Pra niveli i përfaqësimit të anëtarëve është në proporcion me nivelin e atyre që luajnë futboll. Deri 4 vite më parë, vendimmarrjen e ka pasur pothuajse futbolli profesionist, madje kur unë kam ardhur në fillim në FSHF kanë qenë 3 vota nga Kategoria Superiore, nga 1 Kategoria e Parë dhe amatorët pothuajse fare. Ndërsa sot Statuti parashikon një baraspeshë mes profesionistëve dhe amatorëve apo fëmijëve me të drejtë, sepse nëse do të marrim numrin e atyre që luajnë futboll në Shqipëri janë shumë më pak profesionistët se sa amatorët. Nuk mund të ishin jashtë vendimmarrjes dhe kjo do të sjellë efektet e veta në zhvillimin e futbollit në Shqipëri, duke afruar më shumë FSHF-në qoftë edhe me ekipin e fundit amator në Shqipëri.

Qëllimi është që Shoqatat Rajonale të kenë një lloj autonomie në organizimin e futbollit në zonat e tyre që për këtë vit kanë miratuar aktivitetet e tyre, kanë miratuar edhe buxhetet e tyre dhe gjithashtu do të kenë edhe organizimin e brendshëm. Si fillim do të financohen 100% nga FSHF, sepse nuk kanë të ardhura të tjera dhe perspektiva është që të kenë të ardhura të tjera, qoftë nga sponsorët lokalë të aktiviteteve qoftë nga ndryshimet e mundshme ligjore apo pushteti vendor.

Në 2002, kur Duka u zgjodh president i FSHF-së, ka ekzistuar i njëjti nen dhe nuk është ndryshuar edhe sot e kësaj dite. Që presidenti duhet të jetë rezident shqiptar. Duka kështu e ka gjetur dhe kështu do të jetë. Madje e konsideroj normale, por kjo nuk do të thotë që ndalon as Igli Taren dhe asnjë shqiptare tjetër për të kandiduar. Por pasi të fitojë, duhet të vijë të jetojë në Shqipëri. Statuti nuk pengon asnjë të kandidojë për President të FSHF-së. Ky statut kështu ka qenë që kur kam ardhur unë dhe ai nen nuk ka ndryshuar asnjëherë.

Ka organizata që kanë limit mandatesh ashtu siç ka organizata që nuk kanë. Statuti është pa limit mandatesh. Mund të jetë në të ardhmen me një limit, nuk është gabim, mund të jetë pa limit. Si parime nëse do t’i vëmë përballë të dyja kanë të mirat dhe të këqijat e veta. Jo çdo gjë duhet të jetë e njëjtë në kohë të ndryshme dhe në vende të ndryshme. Vendimet duhet të jenë në hapësirë dhe në kohë. Është një nen që është diskutuar shumë dhe është lënë kështu.

Mbështetja e ndërkombëtarëve dhe rreziku i dënimit – FSHF është anëtare e UEF-s, madje që nga themelimi në 1954 dhe anëtare e FIFA-s që nga viti 1932 dhe detyrimisht këto organizma do të interesohen për anëtarët e tyre dhe duhet të mbrojnë parimet e mos-ndërhyrjes të palëve të treta në organizimin e federatave. Nuk do të doja në asnjë mënyrë të ndodhte kjo, për një arsye të vetme, që nëse kishim ndonjë gjë për të konsumuar do të doja ta konsumoja për të marrë një projekt për Shqipërinë, për të mirën e futbollit shqiptar dhe do ta harxhonim për gjëra të tilla. Nga ana tjetër është detyrë e tyre që të kontrollojnë mirëqeverisjen e të gjithë anëtarëve të tyre.

Nëse vazhdonte ndërhyrja e palëve të treta çfarë rrezikonim? Çfarë rrezikonim e dimë të gjithë. Ne jemi një federatë jo e vogël, por e mesme, në të gjitha këndvështrimet. Në ndërhyrjet e palëve të treta apo politike, dënimet janë në ekstreme deri në përjashtimin nga familja europiane dhe botërore të futbollit. Të garantoj që unë kam qenë një katalizator që një dënim të mos ndodhë kurrë. Edhe për finalen e UECL në Tiranë, unë jam pjesë e atij ekipi që kemi derdhur djersë që ajo finale të vijë në Tiranë dhe nuk kisha si të mos isha katalizator që të mos ndodhte anulimi i finales, sepse në fund të fundit është një nga ëndrrat e mia dhe ëndër e çdo njeriu që merret me futboll. Mendo se e kemi menaxhuar mirë situatën për të mos shkuar deri aty.

Mesazh nga Kryeministri? – Kam marrë shumë urime, nga personalitete të politikës shqiptare, edhe nga ata që janë në mazhorancë. Nuk i kam parë të gjitha mesazhet, por të Kryeministrit nuk e kam parë. Kam marrë shumë urime, nga presidentë të Federatave të huaja. Mbështetje e Ramës në fund? Edhe perceptimi im është që Rama më donte President, por kryeministri nuk voton. Mendoj që nëse do të votonte, do ma jepte mua votën për President.

Projektet e të ardhmes – Siç kemi bashkëpunuar me qeverinë në të kaluarën, pavarësisht konflikteve dhe debateve që mund të kemi pasur me qeveri të ndryshme, siç kemi bashkëpunuar për të ndërtuar stadium në Elbasan, në Shkodër apo në Kukës, do të gjejmë mundësinë të bashkëpunojmë në të ardhmen në të gjitha projektet e tjera. Bashkëpunimi i qeverisë me FSHF për të mirën e futbollit, për të ardhmen e fëmijëve, nuk është një dëshirë individuale e imja, por është një detyrim i tyre për të ardhmen e fëmijëve. Mbështetja e qeverive vendore për projektin e 11- fushave ka nisur dhe do të vazhdojmë. Askush nuk mund ta ndali realizimin e atij objektivi që kemi vendosur.

Bojkoti i klubeve dhe ligji i sponsorizimit – Për ligjin e sponsorizimit, u bë edhe një bojkot nga Superiorja për krijimin e një stadi ligjor, për zhvillimin e sportit në përgjithësi dhe për futbollin në veçanti dhe jo vetëm për atë profesionist, por edhe për atë amator. Kemi propozuar diçka, kemi marrë një premtim nga qeveria. Fatmirësisht është e njëjta qeveri që ishte para zgjedhjeve të 25 prillit dhe besoj se do e realizojnë dhe do të ketë ndryshime që do t’i japin shtysa pozitive zhvillimit të futbollit në Shqipëri dhe jo vetëm. Unë dua të mendoj pozitivisht që këto nuk janë gjëra që bëhet për individë, por për të ardhmen, bëhen për fëmijët dhe të gjithë politikanët apo drejtuesit tanë janë aq të përgjegjshëm sa ta kuptojnë këtë, që po e bëjnë për fëmijët, jo për mua.

Ndryshimi i infrastrukturës dhe krijimi i kushteve për fëmijët – Futbolli ka qenë dhe është sporti më i rëndësishëm në Shqipëri, me apo pa mua. Shqiptarët e fatmirësisht e kanë lojën më të dashur. Ka mundësi për më shumë masivitet dhe nëse do të thoja që çfarë është ajo që dua të arrij është të shikoj sa më shumë fusha futbolli dhe sa më shumë fëmijë, djem apo vajza brenda, pavarësisht nëse ata do të bëhen apo jo profesionistë. Nuk ia kemi krijuar këtë mundësi, kemi ndryshuar shumë gjatë kësaj periudhe, infrastrukturën sportive për të bërë gara zyrtare, për të bërë stërvitje të ekipeve profesioniste apo gjysmë profesionistë, kemi bërë edhe rezultate me ekipin Kombëtar, por nuk kemi bërë aq infrastrukturë, sa t’i çojmë vajzat pa asnjë ndrojë të luajnë futboll. Nuk i kemi kushtet e përshtatshme. Kjo është ajo që duam të arrijmë. Të tjerat janë më shumë ekspozite apo motivime që këta fëmijë të vijnë në futboll, kur ti bën edhe rezultate në Europian etj. Qëllimi final është të kemi sa më shumë fëmijë në fushë.

Investimet në Durrës, Lushnje dhe Gjirokastër – Ne nuk shkojmë të investojmë vetëm në asnjë bashki pa pasur partner vetë bashkinë. Kemi gjetur bashkëpunim. Në Durrës kemi bashkëpunuar me Bashkinë e Durrësit dhe kemi bërë dy fusha stërvitjeje dhe do ta bëjmë gjithë perimetrin e stadiumit të Durrësit aq sa sipërfaqe ka, me fusha artificiale e natyrale që mund të bëhen edhe 6-7. Të njëjtën gjë kemi bërë edhe në Lushnje, me 3 fusha, njëra është në përfundim e sipër, tjetra ka filluar dhe tjetra pret të marrë dy shpronësime nga Bashkia. Kemi gjetur edhe te ato Bashki që, nuk e di se për çfarë motivesh, për shembull Gjirokastra, megjithëse ishte shumë gati për të bërë disa investime me ne, u step pak, por do t’i kalojë kjo dhe do të rikthehet bashkëpunimi, sepse edhe kryetari i Bashkisë Gjirokastër, duhet ta kuptojë që para interesave kundër Dukës, janë interesat e fëmijëve të Gjirokastrës.

A kemi në plan stadiume për 4 vitet e ardhshme? – Nuk i pëlqej shumë projektet e stadiumeve të mëdha sepse na lodhin ekonomikisht, kur me të njëjtat financa mund të bëjmë sa më shumë fusha, por megjithatë, nuk do t’i themi jo asnjë stadiumi në Shqipëri që do të ketë bashkëpunim me pushtetet vendore dhe me pushtetet qendrore. Në filozofinë time të të bërit të gjërave dhe projekteve, gjëja e fundit që mendoj është financa. Të bëhen projektet, pasi financat mund të gjenden. Më vjen keq për stadiumin e Kavajës, e kam vizituar disa herë, por gjendja që është ai stadium, nuk është thjesht për shkak të financave, por edhe të një keqmenaxhimi apo keqinteresimi.

Privatizimi i klubeve – Zbatimi i ligjit është për të gjithë, edhe për FSHF-në apo klubet e bashkitë që i kanë. Nëse janë të mjaftueshme aktet nënligjore se si këto aksione duhet të ikin nga Bashkitë, mendoj se nuk janë aktet nënligjore të plota që ta realizojnë. Dhe kjo është një lloj mungese e kulturës së ligjbërjes shqiptare, ku bëhen ligjet, por nuk bëhen aktet nënligjore se si realizohet. Dhe shumë kryetarë bashkish na janë drejtuar ne se si duhet t’i heqin këto aksione. Ne mund të japim interpretime nëpërmjet zyrës juridike, por aktet nënligjore duhet t’i nxjerrë ligjvënësi dhe afatet ia ka vënë.

Çdo lider lokal apo qendror, e merr atë votëbesim nga njerëzit që të plotësojë nevojat që kanë njerëzit e asaj zone. Dhe kur interesat jetësore të zonës lidhen me futbollin, ti duhet të bësh politikat e tua që të luhet futboll. Zbato ligjin dhe të luhet futboll. Edhe tre fushat në Skënder Halili janë financim 100% i FSHF-së. Në çdo zonë, ashtu siç bëhet e mundur jeta kulturore e Ersekës për shembull, do bësh të mundur edhe jetën sportive të saj. Ligji nuk të ndalon ta mbështesësh financiarisht sportin apo projektet për zhvillimin e futbollit. Vetë kryetari i bashkisë duhet të prodhojë politika të tilla që ta bëjë të mundur.

Klubet e Kategorisë së Parë, pjesë e Ligës? – Këto janë organizime të ndryshme, mund të jenë të dyja kategoritë në një Ligë, mund të jenë të dyja kategoritë në dy liga. Ne kemi mbështetur shumë që të paktën të kemi Ligën e Abissnet Superiore. Duhet të krijojmë një eksperiencë fillimisht me Ligën e Superiores. Por nëse është një iniciativë e Kategorisë së Parë, pa dyshim që ne do e mbështesim.

Çfarë i kemi kërkuar pushtetit? – Kemi kërkuar një shtrat ligjor që të sjellë zhvillimin e sportit në Shqipëri. Kemi bërë edhe propozim konkret. Por nëse nuk ka mbështetje, është e vështirë të ketë perspektivë sportive dhe të kërkosh që një Federatë Futbolli të bëjë edhe stadiume, edhe fusha, edhe të paguajë futbollistë, sepse realisht futbollistet femra i paguajmë ne. Sipas meje, ka vetëm dy mënyra për ta incentivuar që të shkojë deri në nivelet që futbolli të krijojë biznes: ose do të buxhetosh ose do të favorizosh ndërmjet një ligji sponsorizimi (në të cilin vetë sporti me biznesin bëjnë një lidhje të shkurtër, me kontrollin e shtetit). Mendoj se FSHF-ja ka investuar rreth 70 milionë euro në infrastrukturë.

Komiteti i ri Ekzekutiv – Dua të falënderoj të gjithë ata që ishin në KE dhe nuk janë më anëtarë të KE-së, por pa dyshim që do të jënë pjesë e familjes së futbollit. dua t’i falëndëroj për atë që kanë bërë, qoftë Edvin Libohovën, si zv.President dhe anëtar i KE-së dhe President i Ligës, apo të tjerët. Ndërsa për ata që janë rishtaz anëtarë dhe për ata që janë rizgjedhur i njoh dhe kam vlerësimet maksimale për ta. Për ata që sapo kanë ardhur, nuk kam vërejtje sepse nuk i njoh si anëtarë të KE-së, por si njerëz të sportit. Statuti parashikon minimumi një femër dhe kjo nuk do të thotë se mund të kandidonin edhe dy

Futbolli i femrave dhe futbolli i fëmijëve– Futbolli në Shqipëri është konsideruar një sport mashkullor dhe fatkeqësisht lufta me konceptin në Shqipëri ka qenë në disnivel me vetë mentalitetin shqiptar. Veriu është parë gjithmonë pak më patriarkal, por në fakt futbolli i femrave në Shqipëri ka lindur aty. Ka qenë një luftë me konceptin, unë në këndvështrimin tim, e konsideroj që në këto vite nuk kemi bërë ndonjë zhvillim të jashtëzakonshëm me futbollin e femrave, por kemi fituar me konceptin. Tashmë nuk është më tabu që të luajnë femrat futboll. Futbolli është sport i të gjithëve. Federata ka shumë incentiva vetëm për futbollin e femrave. Besoj se do arrijmë ato objektiva që kemi vendosur në strategjinë tonë “Futbolli për Kombin”. Dy prioritetet e kësaj strategjie janë: Futbolli i Fëmijëve dhe Futbolli i femrave. Ndryshimi i futbollit në vend nëpërmjet shoqatave rajonale, mbështetja e tyre me infrastrukturë, me vetë projekte të shoqatave, jo të klubeve profesioniste. Mbështetja e shoqatave rajonale, siç ka nisur projekti i topave. Çdo shqiptar që luan futboll merr një top falas. Çdo fëmijë nga edicioni i ardhshëm do të ketë uniformë falas. Jemi një Federatë modeste, 1 milionë euro për femrat dhe afro 1 milionë euro për uniforma. Gjithashtu parashikojmë, trajnimin e vajzave falas, apo kurseve që duhet t’i krijojmë. Finalja është të kemi 4000 vajza në futboll. Ne kemi filluar të krijojmë shembuj në femra, për shembull femrat shohin Megi Doçin si shembull. Çdo lloj iniciative që ka në Shqipëri, pa asnjë lloj kufizimi, qoftë person privat, qoftë njësi vendore apo çfarëdo, FSHF ofron 50% të fushës. Duke pasur parasysh kufizimin e sipërfaqes ku ne mund të ndërtojmë, kërkesat e bazës kanë qenë që të ndërtojmë edhe fusha me bar artificial. Mjafton që aty të luhet futboll.

A auditohet FSHF? – Të gjithë donacionet që ne marrim nga UEFA dhe FIFA, auditohen nga ato vetë. Federata e Futbollit është nga më të mirat të qeverisura në vend dhe më e kontrolluara. Është një organizatë që çdo bilanc e ke publik, në web. Të gjitha këto, të shoqëruara me një raport auditimi nga kompanitë më të mëdha të botë. Për sa i përket financimeve të FIFA-s dhe UEFA-s ka double-auditim. Përveç auditimit të brendshëm, vetë donatori auditon fondet e veta, në çdo vit. UEFA njëherë në katër vite dhe FIFA çdo vit. Dhe fatmirësisht UEFA në 2021 ka audituar fondet e veta dhe ka prodhuar një raport që është publik. Nuk ka asnjë gjë të vërtetë nga ato që janë thënë rreth 2 milionë eurove që janë thënë që janë zhdukur. Çdo gjë auditohet. Secili prej anëtarëve, është njohur me raportin përpara Asamblesë së 2 marsit dhe ka pasur gjithë të drejtën të bëjë çfarëdo lloj pyetje. Federata është institucioni më transparent në Shqipëri. Ëebi i FSHF është hakeruar dhe është sulmuar 3 herë në ditë. Sa herë që ne nxirrnim përgjigje për baltosjet është haketuar dhe jo vetëm ne. Nuk duhet të jemi ne dhe shoqëria shqiptare viktima të ndonjërit që mendon se mund të bëjë ligjin në Shqipëria me një media.

Zgjedhjet në Kosovë – Duhet të presim të shpallen kandidatët zyrtarë dhe do të shohim se çfarë kanë bërë në të shkuarën dhe çfarë do të bëjnë në të ardhmen. Nëse do të flasim për këto emrat, dhe nëse flas për marrëdhëniet e mia personale, Agim Ademi është miku im, por është miku im përmes Fadil Vokrrit, ka qenë zv.President i FFK-së dhe mik i afërt i Vokrrit. Gramozi, është djali i tij, kështu që është e vështirë që të ndaj djalin dhe mikun e tij. Remzi Ejupi është miku im. Të gjithë i kam miq, ndërsa për President duhet t’i shikoj se çfarë kanë bërë. Sot futbolli në Kosovë ka ndryshime shumë të mëdha, ka bërë hapa përpara. Ndryshimet janë shumë evidente, në infrastrukturë dhe mbase ka ndonjë gjë edhe më mirë se Shqipëria.

Arbitrazhi sportiv? – Çdo organizatë duhet të ketë shkallë gjykimi,  minimalisht dy, apo nëse ka tre, akoma edhe më mirë. Edhe në Administratën Shtëtërore, kur ti ankimohesh brenda një ankimimi administrativ, pastaj shkon në një Gjykatë të Shkallës së Parë, më tej në një Gjykatë të Shkalllës së Dytë. Edhe ne nëse do i kemi, do ishte idealja. Meqë jemi te FSHF, shkalla e parë e gjykimit duhet të jetë nëpërmjet organeve drejtuese të FSHF-së dhe shkalla e dytë duhet të jetë Arbitrazhi Sportiv. Dhe nëse vetë një organizatë si FSHF përcakton që ne duam edhe një shkallë tjetër jashtë Shqipërisë, mund ta përcaktojë në Lozanë apo diku tjetër. Ne kemi përcaktuar si shkallë të dytë Lozanën, në pamundësi të një gjykate në Shqipëri. Jemi të gatshëm që të kontribojmë për një Arbitrazh Sportiv. Jemi i vetmi institucion në Shqipëri që kemi organizuar dy seminare për Arbitrazhin në Shqipëri, me juristët më të mirë të arbitrazheve në Europë. Nuk mund ta bëjmë vetëm ne.

Marrëdhënia me KOKSH? – Në këndvshtrimin tim, Komiteti Olimpik është një nga institucionet që duhet të jetë më i mirëorganizuar dhe fisnik, por nuk e kam parë dhe kam qenë kritik ndaj vendimeve, mënyrës së operimit në vazhdimësi me KOKSH. Koha në vazhdimësi më ka dhënë të drejtë për kritikat që kam bërë dhe do të vazhdoj të jem kritik. Nuk kam gjë personale, por KOKSH duhet të arrijë aty ku unë dua ta shoh. Sa i përket Presidentit, edhe këtu kam konceptin tim. Në Komitetin Olimpik, gjatë periudhës që unë jam President, janë bërë disa zgjedhje dhe Presidenti të cilin unë kam mbështetur për të qenë President ka qenë Fidel Ylli, kur ai ishte në garë me dikë tjetër. Në zgjedhjet e fundit, Fideli më ka kërkuar mbështetje dhe unë nuk ia kam dhënë sepse nuk e mendoj që një deputet duhet të jetë drejtues i KOKSH. E shoh shumë të paanshëm këtë institucion sesa mund ta shohë dikush tjetër. Dhe kjo ka sjellë një lloj urrejtje të brendshme të Presidentit aktual. Unë nuk e kam me Fideli, por që një person politik nuk duhet të jetë. A ka Shqipëria persona të paanshëm politikë? Vështirë të gjenden, por jo politik aktiv, brenda Parlamentit.

FSHF është anëtare e KOKSH, për sa kohë ky institucion e pranon. Në Asamblenë e fundit, ne nuk u pranuam në Asamble, sepse nuk ishte paguar kuotën e anëtarësisë që është 1.000 lekë dhe nuk ishte deklaruar lista e aktiviteteve që ka bërë. KOKSH nuk “i kishte parë” aktivitetet e FSHF-së, por kishte parë të tjerat. Të drejtën e pranimit apo mospranimit në një Asamble e ka vetëm Asambleja. Unë si President i Rizgjedhur i FSHF-së dhe KE-së, nuk mund t’i them asnjë anëtarë të FSHF-së që mos të vijë, por mund ta pezullojë me pezullim të përkoshëm deri në Asamble. Ne nuk na u bë kjo. Dua ta shoh KOKSH një institucion fisnik, siç e shoh në shumë vende të tjera, dhe të zhvillojë sportin në Shqipëri.

 

FSHF-ja është e regjistruar në gjykatë që në 2001. Ka të regjistruar çdo vendim të saj deri më tani dhe do vazhdojë të regjistrojë çdo vendim që duhet dhe ato që parashikon ligji. Gjykata dhe drejtësia vonon, por nuk mungon.

Si do jem në 4 vitet e ardhshme? – Kam konsumuar çdo gjë në këtë Federatë, për sa ditë e kam bërë me qejf. Në ditën që nuk do ta bëj më me qejf, do të them kjo nuk është më punë për mua. Është punë e vështirë, me shumë probleme, me shumë kritika e debate. Qoftë 10 klubet e Superiores dhe jo vetëm, që më kanë mbështetur në bllok, janë 10 kritikët e mi më të mëdhenj këto katër vite, por siç më presin edhe në katër vitet e ardhshme. Por do t’i bind ato dhe do vazhdoj të punoj.

Kombëtarja favorite për të fituar grupin? – Uroj që lufta të përfundojë dhe Rusia të kthehet të luajë. Futbollistët dhe Federata Ruse nuk kanë faj në këtë luftë. Nga pikëpamja sportive, uroj që Rusia mos të luajë dhe ne të dalim të parët në grup.

100 familjet ukrainase që do të strehohen në Shqipëri? – Jam çdo ditë në kontakt me Presidentin e Federatës Ukrainase. Është e vështirë dhe disi e pamundur. Në kontaktin e fundit që kemi pasur dje është në ne të dërgojmë disa ndihma në një qendër grumbullimi në Hungari dhe pastaj për t’iu shpërndarë atyre në emër të FSHF-së. Ne i kemi mundësitë që ato pak ndihma t’i bëjmë edhe nga buxhetet private, të Federatës dhe Administratës. Gjithsesi do të bëjmë një fushatë sensibilizimi që njerëzit të na bashkohen në shenjë solidariteti. Ne nuk do të shpëtojmë futbollin ukrainas, por për solidaritet. Nëse do të mundësohet edhe strehimi, që ata na kërkuan do të ishte akoma edhe më mirë. Por ende nuk është realizuar.

Sot mësohet emri i fundit që do i bashkohet Prishtinë, Llapit dhe Dritës në gjysmë-finale

Cilin kandidat mbështet Kika nga Hogoshti ? Flet kryetari i klubit

Reklama