“Rivalët i befasojmë në Evropian”, Sylvinjo: Ndryshimi i skemës ishte i domosdoshëm, si e ndërtova Shqipërinë me 12 “kolona”

Për të kuptuar suksesin e Silvinjos, hapi i parë është të përmbysësh një opinion të përbashkët në futboll: se trajnerët e kombëtares punojnë më pak se trajnerët e klubeve. Kështu është hyrja e intervistës së Silvinjos në median braziliane “UOL”.

Që prej mbërritjes në Shqipëri, braziliani ka ndryshuar rutinën e federatës: ai dhe pjesa tjetër e stafit punojnë nga e hëna në të premte, nga ora 9:00 e mëngjesit deri në 17:00, përveç të shtunave, me orë të reduktuara. Ai gjithashtu tregon se si e ndërtoi ekipin me 12 “kolona”, duke iu refeuarlojtarëve kryesorë të Shqipërisë. “Thonë se trajneri i kombëtares nuk punon shumë, por kjo është në të kaluarën, veçanërisht sepse profili tashmë ka ndryshuar.

Luis Enrike mori Spanjën, Mançini dhe Konte punuan me Italinë, Roberto Martines mori Belgjikën dhe tani Portugalinë. Kur ju flas për punën në fushë dhe lojën, po, ka më pak lojëra. Por ka shumë punë jashtë. Unë nuk monitoroj dhe stërvitem me 23 sportistë, por duhet të monitoroj 60 çdo fundjavë, dhe pastaj është një proces pune për të zgjedhur ata që do të vijnë. Nuk i jap të drejtë vetes sepse drejtoj një kombëtare, dua të vij në punë të hënën, të martën, të mërkurën udhëtoj, të enjten kthehem, pastaj në punë të premten, edhe të shtunën…”

PËRZGJEDHJA Lista e një ekipi është një detyrë e ndërlikuar për çdo trajner. Kur skuadra nuk ka shumë lojtarë të njohur dhe trajneri sapo ka ardhur aty, sfida është edhe më e madhe. Mes ditës së parë të punës dhe listës së parë që Silvinjo duhet të publikonte, kishte 70 ditë kohë. Një periudhë vendimtare për suksesin e Shqipërisë në rrugën drejt kampionatit europian. “Është shumë e vështirë o burrë. Fillimisht ke 10 ose 12 futbollistë të njohur dhe pastaj bën një listë pritjeje me 50 lojtarë. Nuk mund të humbnim kohë: duhej të shikonim të gjitha ndeshjet e futbollistëve që nuk i njihnim. Ata që nuk mundëm t’i shihnim, kërkuan informacione për lëvizje, video dhe gjithçka e vendosëm në një tabelë. Kështu gjërat filluan të qartësohen për ne. Duke ditur se në cilin pozicion na mungojnë lojtarët, në cilin repart duhet të improvizojmë, cilat pjesë të reja të vendosim në ekip me ndryshimin nga 3-5-2 në 4-3-3, ishte një proces shumë interesant”, thotë Silvinjo.

NDRYSHIMET Pikërisht gjatë këtyre analizave dhe udhëtimeve trajneri brazilian dhe stafi teknik ndryshuan gradualisht fytyrën e ekipit. Dy shembuj: mbrojtësi Berat Gjimshiti i Atalantës u caktua kapiten, pasi “ka një profil më të qetë, nuk i humb koka kollaj”, dhe anësori Jasir Asani, djali i dy prindërve shqiptarë të lindur në Maqedoninë e Veriut, u fut në radar dhe u thirr për herë të parë. Silvinjo nuk rrezikon të thotë se sa ndeshje ka ndjekur stafi që nga janari, por shprehet se 8 orë punë në ditë janë shfrytëzuar maksimalisht. “Nëse nuk do të largoheshim nga këtu në orën 17:00, do të kishim punë për të qëndruar deri në mesnatë çdo ditë”, thotë ai.

POPULLARITET Por vendimi që ndryshoi rrjedhën e gjërave, sipas trajnerit, ndodhi që në fillim, kur ai vendosi të shkonte të jetonte në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë: “Ky vendim që morëm unë dhe Doriva për të ardhur e jetuar këtu ishte diçka që i pëlqeu shumë federatës dhe vendit, ngriti një mobilizim të jashtëzakonshëm në favorin tonë, ishte një gol i bukur që shënuam. Dhe ata e kuptuan që nuk ishte një lojë, por do të punonin vërtet këtu. Kur temperatura është e mirë, ne ecim në qytet. Ka një park të bukur afër qendrës dhe takojmë shumë njerëz që janë fanatikë futbolli, por shumë të respektueshëm. Ata të përshëndesin dhe të kërkojnë me mirësjellje një foto dhe ne e shijojmë. Në federatë kam kontakte shumë të ngushta me njerëz, pi një kafe me sekretaren, me shoferin, kam këtë karakteristikë të komunikimit dhe këtu është një mjedis shumë i favorshëm për ne”, shpjegon Silvinjo.

KOMUNIKIMI Gjuha ka qenë gjithmonë e rëndësishëm për Silvinjon. “Nuk e imagjinoja rrjedhshmërinë e tyre në italisht. Në asnjë moment nuk kam pasur nevojë për një përkthyes për të folur me një futbollist në një klub, apo edhe këtu kur kemi 23 ose 24 lojtarë së bashku. Ata flasin të gjithë dy ose tri gjuhë. Më pëlqen të flas duke i parë në sy. Ata duhet të më dëgjojnë të flas, edhe unë duhet t’i dëgjoj ata. Dhe ky komunikim e çon përpara shumë procesin”, shton trajneri.

MENTORËT Lista e mentorëve të Silvinjos është me emra si Arsen Venger, Pep Guardiola, Roberto Mançini dhe Tite. “Unë them gjithmonë se nuk mund ta humbas autenticitetin im. Aq sa admiroj Murinjon apo Guardiolën, Klopin, Simeonen, Mançinin, Vengerin apo Titen, por nuk do të jem si ata. Por kam mësuar shumë prej gjëra prej tyre. Venger është ndërtuesi, ajo që bëri tek Arsenali është e jashtëzakonshme. Ai është një vizionar, kupton shumë dhe di të gjejë lojtarë. Dhe ai ka një nivel të lartë inteligjence, edukimi, menaxhimi. Guardiola është ai që sheh shumë. Guardiola shikon shumë futboll dhe jo vetëm pjesën sulmuese. Ka një mënyrë të jashtëzakonshme në mbrojtje dhe kam mësuar shumë prej tij”, thotë ai që më pas vazhdon me një koment për Mançinin dhe Titen: “Tite është punëtor, i talentuar, i përpiktë, i orientuar në detaje, të cilit nuk i mungon asgjë. Dhe Roberto Mançini është centralizues, me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme me atletin”.

EUROPIANI DHE… Viti 2023 ishte viti në të cilin Silvinjo bëri histori në krye të Shqipërisë, ndërsa viti 2024 paraqet një sfidë edhe më të madhe. Befasi në “Euro 2024”. Shorti nuk i ndihmoi, pasi ata do të përballen me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë: “Është e saktë të thuhet se është grupi më i vështirë. Ata janë të gjithë teorikisht më të fortë se ne. Ne do të testojmë forcat tona. Janë tri skuadra që mund të themi me siguri se po luftojnë për të shkuar sa më larg dhe për të fituar trofeun. Për ne është krenari kur thonë “është një Shqipëri e mërzitshme atje. Ne u kualifikuam si të parët e grupit dhe ata do të fillojnë të na shikojnë tani”, thotë trajneri, i cili shton: “Ne do të luajmë në një Europian dhe duhet të përpiqemi të luajmë më shpesh. Pastaj, kush e di, ndoshta në të ardhmen mund të arrijmë një Kupë Bote. Kjo do të na japë shansin për të luajtur më shpesh, për të qenë më komod në këto kampionate të rëndësishme”, shton Silvinjo.

BOTËRORI Silvinjo ka një përvojë në Botëror, si asistent i Tites: “Secili ka peshën e vet. Me Brazilin në Kupën e Botës duhet të përgatiteshim për të kapërcyer fazën e parë, të fitojmë 1/16-at, çerekfinalen, gjysmëfinalen, të arrijmë në një finale. Me Shqipërinë çfarë duam ne? Të kapërcejmë fazën e parë? Po. A do t’ia dalim? Nuk e di. Përgatitja është të shkojmë sa më larg”, përfundon 49-vjeçari.

Hajdutët hynë në shtëpinë e Grealish dhe kryen një grabitje si në filma duke rrëmbyer gjëra me vlerë prej 1.1 milion euro

Dinamo e Tiranës gjen marrëveshje me yllin e Dritës