Rilindja e kapitenit

Anel Rashkaj është i njohur për opinionin sportdashës në Kosovë.

Mesfushori prizrenas i ishte bashkuar me shumë kënaqësi Përfaqësueses së Kosovës në kohërat më të vështira, kur futbolli kosovar ishte i izoluar në katër anët.

Madje ai kishte treguar personalitet, profesionalizëm dhe lidership, duke u bërë kapiten i ekipit të Albert Bunjakit e po ashtu duke shfaqur paraqitje mbresëlënëse në ndeshjet e pakta miqësore që i zhvillonin.

Mirëpo, me afrimin e pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA dhe njëkohësisht me ngritjen e Përfaqësueses, 27-vjeçari e kishte marrë teposhtën.

Ai po luante në ligën e dytë norvegjeze me ekipin Sandnes Ulf, fakt i cili ia pamundësonte të ftohej në Përfaqësuese, duke e ditur se asaj i janë bashkuar yjet e futbollit kosovar në diasporë.

Megjithatë, prizrenasi u rilind nga janari i vitit 2017, pasi u rikthye në Suedi, ku po luan me sukses në ligën e parë atje, me ekipin AFC Eskilstuna.

19022694_1399541326751301_1573991588_o

Kësaj ringjalljeje të tij me ekipin ia pa hairin edhe Përfaqësuesja e Kosovës, e cila e ftoi pas një kohe të gjatë dhe i tregoi se nuk e harroi.

Ai tashmë po ushtron me reprezentuesit kosovarë, shumicën prej të cilëve i njoftoi për herë të parë sepse skuadra e Bunjakit ka ndryshuar shumë në përbërja nga koha e Rashkajt.

“Nuk mund të them se nuk më ka munguar Përfaqësuesja, sepse ka qenë gjithnjë kënaqësi të grumbullohesha në Përfaqësuese. Por duke e ditur situatën time, atëherë ka qenë e kuptueshme që kam mbetur jashtë”, ka thënë Rashkaj, i cili me krenari kujton të kohën kur e bartte shiritin e kapitenit, të cilin tani e mban Samir Ujkani.

Rashkaj

“Ishte nder i madh ta mbaja shiritin e kapitenit. Qëkur kam qenë i vogël kam pasur dëshirë të luaj për Përfaqësuesen e Kosovës dhe kjo ishte një ndjenjë e veçantë”, ka potencuar ai për Zërin. Rashkaj lavdëron progresin e Kosovës.

“Mendoj se Kosova ka bërë hapa pozitivë nga ndeshja në ndeshje. Përvoja dhe komponimi kanë ndikuar në rezultate jo të mira në fillim, por mendoj se do të bëhet shumë më mirë. Besoj shumë se kemi një të ardhme të mirë, sepse kemi shumë lojtarë të rinj që pas 2-3 vjetëve do të jenë gati për hapa më të mëdhenj”, nënvizoi Rashkaj.

Kosova