Në fakt, çfarë do që të themi për mjeshtrin e rangut botëror, Driton Kuka dhe nxënëset e tij triumfale, është pak, shumë pak në krahasim me atë që I kanë dhënë ata sportit dhe jo vetëm sportit.
Nga kjo palestër e vogël e nga thuajse një lagje e Pejës, njeriu që na hoqi nga fjalori termin “Me rëndësi pjesëmarrja”, prodhoi tri kampione olimpike që jo vetëm se e ngritën emrin e tyre dhe atë të shtetit tonë në nivelet më të larta të sportit botëror, por i shkruan ato me shkronja të arta në historinë e Lojërave Olimpike, evenimentit më të madh sportiv në planet.
Duke folur për mikrofonin e RTV 21, Driton Kuka tregon se çfarë do të thotë për të triumfi historik në Tokio 2020.
“Përceptimi i këtij rezultati do kohë. Medaljen e artë të Rios kam filluar ta shijojë pas 5-6 muajsh, në fillim të duket abstrakte. Tash e di çka më pret sepse duhet kohë ta kuptojmë se çfarë kemi bërë”, deklaroi Driton Kuka.
Olimpiada e Tokios ishte e para edhe për Nora Gjakovën, vajzën e artë që prej vitesh e shohim krahë Majlinda Kelmendit. Kësaj here, ishte radha e saj që të kthehet me një medalje të artë olimpike. E triumfi në finale ishte aq i pabesueshëm për të, sa që për një moment nuk e kuptoi se ishte ajo e arta e kategorisë së saj.
“Për mua kjo është përmbledhje e punës që kam bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Jam shumë e lumtur që më në fund gjithë ky mund i shpërblye në mënyrën më të mirë të mundshme. S’kam menduar asnjëherë që do të vijë kjo ditë, por pavarësisht kësaj kam punuar shumë dhe ja që u shpërbleva me medalje”, u shpreh Nora Gjakova.
Në Olimpiadën e Rio 2016 nuk mori pjesë sepse ishte në kategori të njëjtë me Majlinda Kelmendin. E humbi 10% të peshës së saj për të ndërruar kategorinë dhe në të njëjtën kohë e kapi formën kulminante dhe drejt Tokios fluturoi si numri 1 I botës për kategorinë e saj. Distria Krasniqi është shumë e lumtur që e bëri një gjë të tillë.
“Ka qenë një moment shumë emocionues. Gjatë gjithë ditës jam munduar të mos e mendojë faktin që jam në Olimpiadë, që të kem më pak stres. Pas finales shpërtheva në lot sepse realizova ëndrrën time dhe pastaj e përqafova njeriun më meritor, Driton Kukën”, theksoi Distria Krasniqi.
Që të tre njëzëri e çmojnë dhe falënderojnë për kontributin e jashtëzakonshëm Majlinda Kelmendin, duke thënë që sukseset e kësaj Olimpiade s’do të vinin kurrë pa puën e asaj që quhet mbreteresha e sportit kosovar.
Pas Olimpiadës 2020, për Norën dhe Distrinë do të ketë pushim për pak ditë, por jo edhe për Dritonin, që është i nxënë, si zakonisht, duke punuar e prodhuar kampion të rinj, të cilët një ditë shpresojmë t’i shohim në majat e xhudos botërore, ashtu si Majlindën, Norën e Distrinë.