Rikthimi i madh te Gjilani, Keita Razak në fushë pas 180 ditëve

Saktësisht më 26 korrik të vitit 2020, Keita Razak zhvillonte ndeshjen e fundit me SC Gjilanin ndaj Flamurtarit në kuadër të xhiros së fundit të Superligës.

Madje, sulmuesi nga Bregu i Fildishtë realizonte golin e vetëm në atë ndeshje që i mundësoi ‘kuqebardhëve’ të luanin në ndeshjet e Ligës së Evropës për herë të parë në histori, shkruan Gazetasheshi.com.

Më pas Razak u detyrua që të operohej dhe të qëndronte jashtë fushave të blerta për plot 180 ditë, duke humbur kështu ndeshjet në Evropë dhe duke humbur komplet stinorin vjeshtor të kampionatit.

(Foto: Hlimi Veliu, Gazeta Olle)

24 vjeçari tashmë ka lënë prapa lëndimin, kjo edhe falë punës së jashtëzakonshme të stafit mjekësor të Sport Club “Gjilanit” që kanë punuar në vazhdimësi me futbollistin.

Ai ka patur disa minuta nën këmbët e tij në duelin miqësor të së dielës ndaj 2 Korrikut, të cilin Gjilani e triumfoi me rezultat bindës 3-0.