Rikthimi i Leart Eminit

Pak ditë para nisjes së stinorit pranveror (në edicionin e kaluar), mesfushori i Hajvalisë, Leart Emini, e përjetoi ndoshta ditën më të zezë në jetën e tij. Ai i lëndoi ligamentet në një ndeshje miqësore me 2 Korrikun, për ta humbur të gjithë edicionin dhe për t’i shkaktuar shumë kokëçarje trajnerit të atëhershëm të Hajvalisë, Ismet Munishit.

Emini po kalonte nëpër një formë të jashtëzakonshme sportive.

Kaloi momente të rënda por familja, e dashura, shoqëria dhe në veçanti Ismet Munishi, kurrë nuk e lanë vetëm për t’i dhënë shumë forcë në kalimin e kësaj sfide, e cila tashmë thuajse është harruar.

“Pas përfundimit të operimit me sukses, tashmë jam në fazën përfundimtare dhe me ndihmën e Zotit, gjithçka ka shkuar shumë mirë. Me këtë rast dua që ta falënderojë kryesinë e Hajvalisë për ndihmën e madhe. E them publikisht se që më kanë ndihmuar në pagesën e operimit, madje nuk kanë hezituar që ta ma vazhdojnë kontratën edhe për një vit. Mendoj që këtë shembull duhet që ta ndjekin të gjitha klubet në Kosovë. Përveç se bëjnë investime shumë të mëdha në klub, drejtuesit e Hajvalisë, janë edhe njerëz shumë human. Ragip Murati, Xhavit Pacolli dhe Mehedin Përgjegjaj (Meda), të gjithë opinioni e dinë se sa njeri human është”, ka thënë Leart Emini për Gazetaolle.com.

Në pyetjen se kur do ta shohim sërish në fushë, Leartin, ai deklaroi: “Do të jem gati nga fillimi i kampionatit. Do të tentojnë që ta gjejë ritmin nga ndeshja në ndeshje, mirëpo nuk do të ngutem”.

22-vjeçari nga Prishtina ani pse në moshë të re, ka fituar gjithçka në futbollin e Kosovës. Një titull kampioni ne Prishtinën, një tjetër me Llamkos Kosovën (Kosova e Vushtrrisë) dhe një Kupë me Prishtinën janë trofetë e deritashëm. Futbollisti kreativ ka luajtur edhe për Trepçën e Hysin.