Rikthimi i Behar Maliqit: Ja çka thotë ylli i ‘Niklit’

Feronikeli e mposhti Istogun të shtunën me rezultat të pastër, 3:0 dhe përveç gëzimit për tri pikët e fituara, të gjithë në “Rexhep Rexhepi” u gëzuan edhe për rikthimin e Behar Maliqit, i cili konsiderohet edhe ylli i skuadrës nga Drenasi.

Ai luajti në 10 minutat e fundit, por në momentin e inkuadrimit në lojë, u prit me ovacione.

Në një prononcim për Infokusi.com, Maliqi u shpreh se është një ndjenjë e mirë kur të gjithë të përkrahin në momente të tilla.

“Është ndjenjë e mirë për çdo lojtar kur kthehet nga lëndimi. Këtë ndjenjë edhe më të fuqishme e bëjnë tifozët që dinë me të vlerësuar edhe me të respektuar, ku i falënderoj shumë se janë shembull më të vërtetë në të gjitha aspektet dhe kjo më bënë mua si lojtar të ndihem mirë”, u shpreh Maliqi.

Ai ka treguar edhe vështirësitë në kohën sa ishte i lënduar dhe arsyen se pse nuk ka rrezikuar të rikthehet më herët.

“Për çdo lojtar është e vështirë kur është i lënduar, por me ndihmën e bashkëlojtarëve, shtabit teknik dhe kryesisë ka qenë shumë e lehtë për mua që ta kaloj lëndimin e zgjatjes së muskujve. Unë isha edhe në disa ndeshje tjera në bankën e rezervistëve, por në bashkëpunim me trajnerin nuk kam dashur të rrezikoi dhe kundër Istogut ishte koha dhe hyra në lojë”, tha futbollisti i skuadrës nga Drenasi.

Në fund, Maliqi shtoi edhe disa fjalë sa i përket titullit të kampionit dhe sipas tij, derisa të fitojnë edhe matematikisht nuk do të gëzohen.

“Synimi që nga fillimi ka qenë që ta ndjekim titullin. E kemi ekipin shumë cilësorë dhe kemi besuar në titull. Tash, jemi 7 pikë larg nga pozita e dytë, kur kanë mbetur edhe 6 xhiro, por ne nuk do të vetëkënaqum sepse futbolli di të hakmerret shumë lehtë. Vetëm atëherë kur edhe matematikisht do të jemi kampion, do ta themi një gjë të tillë”, theksoi Maliqi.

Behar Maliqi në sezonin e kaluar shkroi histori me skuadrën e Feronikelit duke fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Po ashtu, Maliqi ishte edhe shënuesi më i mirë i skuadrës.