Rikthimi, befasia, e ardhmja, Kombëtarja…

11-muaj nuk i shkeli fushat e gjelbra. U rikthye si lider i vërtet duke e bartur shiritin e kapitenit në ndeshjen Torino – Lazio.

Vuajti për një kohë të gjatë nga një lëndim. Përpos tij, vuajti edhe Torino dhe Kombëtarja e Shqipërisë.

Fjala është për mesfushorin Migjen Basha, i cili flet për shumëçka në një intervistë, për Gazetaolle.com. “Lëndimi me të vërtet ka qenë i gjatë. Është dashur që të operohem dhe realisht nuk kam menduar që do të mungojë kaq shumë. Gjatë lëndimit, shpesh kam menduar që a mund të kthehem si përpara dhe a mund të luaj pa dhimbje”, nis bisedën për Gazetën ‘Olle’, Migjen Basha.

Ai e komentoi edhe ndeshjen me Lazion. “Nuk kam pritur që do të jem kapiten. Kur kam arritur në zhveshtore dhe e vërejta shiritin në vendim tim, u befasova por nuk bëra zë”, shtoi ai. “Synimi im tashmë është të luaj sa më shumë dhe ta gjejë formën time më të mirë, sa më shpejt. Nuk është e lehtë pasi që kam munguar gjatë”, potencoi futbollisti nga Suhareka.

Basha ka kontratë me Torinon deri në qershor. “Ende nuk kam biseduar me klubin kështu që ka gjasa që të largohem”.

Në fund, Basha foli edhe për Kombëtaren. “Kam shumë dëshirë që të vazhdojë të jem pjesë e Kombëtares por për gjithçka vendos trajneri. Në ndeshjen e radhës me Armeninë, na duhet patjetër një rezultat pozitiv. Nuk duhet që mendojmë që do të jetë lehtë ndaj Armenisë. Mendimi im është se do të kemi shumë problem për t’i mundur”, përfundoi Migjen Basha.