Rikthim fantastik i Barcelonës, mposhtin Sevillën pas vazhdimeve dhe sigurojnë finalen e Copa del Rey (Video)

Barcelona ka arritur të fitojë 3-0 pas vazhdimeve ndaj Sevillas dhe të sigurojë kalimin në finale të Copa del Rey.

Katalunasit erdhën në ndeshjen kthyese pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë në udhëtim dhe fituan me rezultatin e njëjtë për të çuar ndeshjen në vazhdime dhe për të siguruar kualifikimin pastaj.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Barcelonës, e cila arriti të shënojë edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 12-të dhe ishte Ousmane Dembele, i cili shënoi një supergol për epërsinë 1-0.

Në pjesën e dytë, përsëri ishin katalunasit më kërkues dhe më konkret, por u desh vetëm minutat shtesë për ta shënuar golin e dytë për të siguruar vazhdimet.

Fillimisht ishin mysafirët që patën rast ideal të barazojnë me anë të Lucas Ocampos (70’), por ishte i pasaktë nga penalltia, ndërsa në minutat shtesë Fernando mori të dytin të verdhë, respektivisht të kuqin.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej me fitore minimale në skenë doli Gerard Pique (90+4) duke shënuar me kokë për 2-0 dhe duke siguruar vazhdimet.

Në vazhdime, Barcelona e pati më të lehtë shkaku edhe i epërsisë numerike dhe 15 minutat e parë arriti golin e tretë me anë të Martin Braiwthaite (95’).

Në pjesën e dytë të vazhdimeve u zhvillua lojë më agresive e Sevillës duke marrë shumë kartonë tjerë, por pa pasur sukses në rezultat, pasi Barcelona triumfoi 3-0.

Me këtë fitore të madhem, ekipi i Ronald Koeman siguroi finalen e madhe të Copa del Rey.

Në finale të Kupës së Mbretit, Barcelona pret fituesin e ndeshjes Athletic Bilbao-Levante, e cila zhvillohet nesër (e enjte). /Gazeta Olle/