Ribashkimi i katërt

Dashuria Afrim Tovërlani – Berat Hyseni si duket është e destinuar që të mos përfundojë kurrë. Sulmuesi dhe trajneri janë bashkuar për herë të katërt në karrierën e tyre, por për dallim nga herët e kaluara, Tovërlani e gjeti Hysenin këtë herë në Trepçë ’89. Në të kaluarën ishte trajneri ai që e ofronte sulmuesin e rrezikshëm.

Hyesni, që ka gjetur tri herë rrugën e golit këtë kampionat dhe është në formë të mirë në pranverë, thotë se me ardhjen e Tovërlanit skuadra do të shkojë drejt suksesit. “Po besoj që do të ketë sukses. Është një trajner i trofeshëm. Besoj shumë që nën drejtimin e tij do të kemi suksese. Mbetet gjithçka të shihet në fushë”, tha Hyseni për ‘Gazetën Olle’.

Sipas Hysenit tashmë do të ndryshojë karakteri i skuadrës. “Po atmosfera në skuadër ka qenë shumë e mirë, por do të ndryshojë në karakter të skuadrës”.

Ai thotë se kampionati është i gjatë dhe me Tovërlanin ka ende gjasa që të marrin ndonjë trofe. “E veçon karakteri fitues që e ka, strategjia e tij. Ai di të motivojë mjaftë mirë futbollistët dhe karakterin e  tij e transmeton shumë mirë te skuadra.  Besoj që do të kemi suksese si në  kampionat ashtu edhe në Kupë”.

Tovërlani dhe Hyseni kanë fituar titullin dhe Superkupën së bashku me Prishtinën. (Gazeta Olle)