Rezultati 8:0, fituesit sulmojnë gjyqtarin e Superligës në ndeshjen e femrave

Gjyqtarët nuk sulmohen vetëm tek meshkujt. Madje, ata sulmohen edhe kur në fushë luajnë femrat, e për më tepër kur rezultati është 8:0!

Krejt kjo ndodhi të hënën në ndeshjen Mitrovica – Kosova e Prishtinës, ku vendaset ishin pranë fitores bindëse.

Takimi u ndërpre në pjesën e dytë, kur pas një përleshjeje të femrave në fushë, dhe ndëshkimit me kartonë të kuq, një zyrtar i Mitrovicës sulmon gjyqtarin Mervan Bejtullahu, i cili ndan drejtësinë edhe në Superligë, shkruan GazetaOlle.com.

Ai me këtë rast ndërprenë ndeshjen. Mirëpo, cili është versioni i zyrtarëve të ndeshjes.

Haki Bllacaku, trajner i femrave të Kosovës thotë se zyrtarët e Mitrovicës e sulmuan fizikisht gjyqtarin. “Njëri nga personat përgjegjës të skuadrës së Mitrovicës hynë në fushë dhe e sulmuan gjyqtarin Bejtullahu. Më pas ai ndërpreu takimin”, tha Bllacaku për GazetaOlle.com.

Ndërkohë, version tjetër jep Hajrullah Haxhiu i Mitrovicës, i cili kishte marrë vetë pjesë në sulm.

Nuk është e vërtetë se e kam sulmuar, ka pasur vetëm shtyrje”, thotë ai, duke treguar më pas ngjarjen në mënyrë kronologjike.

Ne ishim duke fituar 8:0. Lojtaret e Kosovës luanin shumë ashpër. I thash gjyqtarit për këtë, ai më tha se është puna e tij çfarë bënë ai. Pastaj një lojtare e tyre u kap me lojtaren tonë, Blerin Musa, dhe gjyqtari iu dha kartonë të kuq”, tregon Haxhiu.

Më pas lojtaret më thanë se ai Bllacaku i Kosovës i paska sulmuar ato në vend se t’i ndajë sikur ne që bënim. Pas gjithë kësaj kur i thash gjyqtarit ta nis ndeshjen, tha jo nuk mundem është vendim i vëzhgueses Arta Osmani, e cila nuk ka drejtë të jetë vëzhguese, pasi është edhe në Komisionin e Delegimit. Kështu, gjyqtari me vëzhguesen e gjetën mënyrën për të na humbur fitoren”, shtoi ai.

Haxhiu ka deponuar deklaratën në Federatë, dhe sipas tij, çdo dënim ndaj tij, do të rezultojë me tërheqje nga garat. (Gazeta Olle)