Kombëtarja e Kosovës kohëve të fundit është duke pasur ngecje të madhe në mesfushë, ngase mesfushorët tanë nuk janë në formën më të lartë të mundshme te klubet momentale, gjë që po ndikon edhe te përfaqësimi i shtetit.
Në dy ndeshjet e fundit që Kosova zhvilloi ndaj Jordanisë, respektivisht Greqisë, është parë më së miri se një ndër problemet kyçe te “Dardanët” ishte mesfusha, ngase sulmuesve iu mungonte i ashtuquajturi ‘topi final’, kurse mbrojtja nuk gjente një zinxhir të mirë lidhës.
Në anën tjetër, Elvis Rexhbecaj ka qenë titullar i padiskutueshëm në Bundesliga, duke zhvilluar plotë 13 ndeshje me skuadrën e Bochum.
Kjo dëshmon se ai mund të jetë futbollisti i duhur për të ngritur nivelin e Kosovës, sidomos repartit të mesfushës. Kilometrat e shumta në këmbët e tij janë nevojë për kombëtaren.
Para disa ditëve, ishte vet lojtari që nisi ‘flitrimet’ me Kosovën, duke vendosur flamurin e Kosovës te faqja zyrtare e tij në Instagram, në pjesën e biografisë.
Për të mësuar më shumë detaje rreth kësaj situate, Lajmi.net, ka kontaktuar kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, që zbuloi se nuk kanë lënë ndonjë takim me futbollistin, mirëpo ekziston mundësia që të takohen për kafe.
“Nuk kemi lënë takim, nuk vjen për takim, por për pushime, mirëpo nuk përjashtohet mundësia që të takohemi për kafe që të bisedojmë. Sidoqoftë, takim paraprak nuk kemi lënë”, tha shkurtimisht presidenti Ademi për lajmi.net.
Ndërkohë, 24-vjeçari i lindur në Prizren këtë edicion për Bochum ka zhvilluar 15 paraqitje në të gjitha garat. Ftesa e tij te kombëtarja e Gjermanisë vazhdon të mungojë. Injorimi edhe nga Hansi Flick është një sinjal i fortë për lojtarin që nëse dëshiron të ketë karrierë me kombëtare, Kosova është dera e duhur. Mbetet të shihet nëse krerët e FFK do të arrijnë ta bindin lojtarin që t’i bashkohet grupit. Rexhbecaj mund të jetë shpëtimi për mesfushën e kombëtares.