Revolucioni infrastrukturor, katër stadiume të reja moderne brenda tetë viteve në Shqipëri

Rreth 9 vjet më parë një delegacion i nivelit të lartë të UEFA-s vizitonte Shqipërinë. Shqetësimi ishte i madh për faktin se vendin ynë nuk kishte një stadium që përmbushte kriteret e qeverisë së futbollit europian dhe Kombëtarja shqiptare rrezikonte të luante jashtë vendit. Stadiumi “Qemal Stafa” ishte mjaft i amortizuar dhe nuk mund të priste më ndeshje ndërkombëtare.

Asokohe Shqipëria e futbollit po bëhej gati të niste aventurën në eliminatoret e Kampionatit Europian “Francë 2016”. Pas këmbënguljes së vazhdueshme të FSHF-së për nevojat jetike, qeveria vendosi të rindërtojë nga e para stadiumin e Elbasanit në bashkëfinancim me Federatën e Futbollit.

Pas një pune voluminoze dhe brenda një viti u bë i mundur inaugurimi i stadiumit të ri, që tashmë mban emrin “Elbasan Arena”. Impianti i ri, që është i kategorisë 4 të UEFA-s e që ka një kapacitet prej 12,500 vendesh, u inaugurua me ndeshjen e 11 tetorit 2014 Shqipëri-Danimarkë (që përfundoi në barazim 1-1), e vlefshme për eliminatoret e Euro 2016. Më në fund kombëtarja shqiptare kishte një shtëpi të sajën dhe Shqipëria u bë me një stadium modern.

Por ky ishte vetëm fillimi pasi FSHF vijoi me fushatën e saj për rikonstruksionin apo ndërtimin e stadiumeve të reja moderne. Sërish në bashkëpunim me qeverinë, por edhe me UEFA-n u bë e mundur marrëveshja dhe nisja e punimeve për rindërtimin nga e para e stadiumit “Loro Boriçi”. Puna nisi në maj të vitit 2015, ndërsa impianti ishte gati për të pritur ndeshjen e parë në gushtë të vitit 2016. Një impiant tjetër modern me një kapacitet pret 16,000 vendesh dhe i kategorisë 4 të UEFA-s, njësoj si “Elbasan Arena”. Sfida hapëse ishte miqësorja Shqipëri-Marok, që përfundoi në barazim 0-0 dhe u luajt më 31 gusht 2016.

Ndërkohë, fushata e FSHF-së për revolucionin infrastrukturor nuk u ndal këtu, duke vijuar dialogun me qeverinë edhe për stadiumin “Qemal Stafa”, që tashmë në kushte të degraduara duhej ndërtuar nga e para. Pas shumë raunde bisedimesh u gjet marrëveshje për stadiumin e ri kombëtar në Tiranë, që nisi ndërtimin në prill të vitit 2016 pas marrëveshjes mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kompanisë “Albstar”, për ndërtimin e stadiumit të ri të kryeqytetit. Në përfundim të punimeve stadiumi mori emrin “Air Albania”, një vepër gjigande infrastrukturore që u inaugurua me ndeshjen Shqipëri-Francë më 17 nëntor 2019 në një atmosferë të rrallë me praninë e mbi 22 mijë spektatorëve të pranishëm në “xhevahirin” e futbollit shqiptar. Një impiant që më pas do t’i siguronte Shqipërisë mikpritjen e një ndeshjeje të madhe të europiane, siç është finalja e UEFA Conference League, që do të luhet më 25 majin e ardhshëm në Tiranë.

Pa mbaruar jehona e stadiumit “Air Albania” nisi puna për ndërtimin nga e para e stadiumit të ri të Kukësit, një tjetër investim i bashkëfinancuar nga FSHF dhe qeveria shqiptare. Pas disa vitesh pune tashmë stadiumi modern e që përmbush të gjitha kriteret e UEFA-s është gati dhe do të inaugurohet të shtunën me ndeshjen e kampionatit “Abissnet Superiore”, Kukësi-Laçi. Një vepër e shkëlqyer infrastrukturore që i shtohet “koleksionit” të stadiumeve moderne shqiptare. Investime gjigande që i japin mundësi FSHF dhe Shqipërisë të mirëpresë turne të rëndësishëm ndërkombëtare në nivel kombëtaresh në të ardhmen. Vetëm 8 vjet më parë Shqipëria nuk kishte asnjë stadium dinjitoz për të pritur ndeshje ndërkombëtare dhe brenda pak vitesh dhe falë investimit të FSHF-së tashmë vendi ynë ka katër stadiume të shkëlqyera që janë një nxitje e madhe për zhvillimin e futbollit në vend.

Drenasi shënon fitore tejet të rëndësishme në luftën për mbijetesë

Delegohen gjyqtarët e xhiros së 30-të të Superligës, ja kush i drejton ndeshjet kryesore