Repriza e 97-ës, Juve dhe Dortmund zhvillojnë betejën e parë

Nga qyteti italian i Torinos vjen një 90 minutësh që na kujton finalen e madhe të Champions Leaguës së vitit 1997, kur Borussia Dortmund e mposhtte Juventusin 3:1. Pikërisht këto dy skuadra takohen sonte, me italianët që e duan një fitore pak për hakmarrje e shumë për një hap drejt kualifikimit, transmeton Gazeta Olle. 

Trajneri vendës, Massimiliano Allegri, thotë që kjo nuk është ndeshja më e rëndësishme e Juventusit këtë edicion, sepse sipas tij, bardhezinjtë do të kenë edhe disa ndeshje tjera në këtë kompeticion.

“Dortmund ka një skuadër të mirë, të fortë fizikisht dhe të mirë teknikisht. Për ne është e rëndësishme që të mos pranojmë gol në shtëpi. Kjo nuk është ndeshja e sezonit për ne, sepse duam të luajmë edhe disa të tjera në Champions”, theksoi Allegri në konferencën për shtyp.

Jurgen Klopp e ka zgjedhur rrugën e provokimit, duke iu kujtuar italianëve finalen e humbur të 97-ës.

“Mund të jetë një ditë e mirë për ne, siç ka qenë ajo e 1997-ës. Do të përpiqemi të bëjmë mirë edhe pse do të jetë e vështirë pasi që Juventus ka një skuadër me vlera”, tha ndër tjera Klopp.

Vlen të theksohet se në “Juventus Stadium” do të jenë të pranishëm rreth 2300 tifozë gjerman, andaj policia italiane i ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura. /Gazeta Olle