Skuadra që ka nisur të krijojë një identitet të ri me lojë të shpejtë e të bukur, Ballkani, mbanë një prej rekordeve më të zeza të futbollit kosovar në periudhën e pasluftës.
Në edicionin e parë futbollistik në Kosovën e lirë, 1999/2000, Ballkani e ka shënuar një rekord që shumë vështirë që do t’ia thyejë dikush tjetër ndonjëherë, përcjellë Gazeta Olle.
Atë sezon, skuadra nga Suhareka i ka pësuar plot 135 gola, duke u renditur në pozitën e fundit në klasifikim.
Në 34 ndeshje të zhvilluara, portokallezinjtë kishin renditur dy fitore, katër barazime dhe plot 28 humbje.
Kjo shihet në tabelën e atij edicioni, të publikuar në librin “Futbolli i Kosovës 1919-2019” nga doajeni i gazetarisë sportive, Azem Brovina.

Ballkani e kishte mbyllur sezonin në pozitën e fundit me 10 pikë, për të rënë një kategori më poshtë.
Për t’a “përkthyer” në statistikë këtë rekord të shëmtuar, i bie që Ballkani i ka pësuar afërsisht katër gola në cdo ndeshje.
Në 20 vitet pasuese, pra deri më sot, asnjë skuadër tjetër në vend nuk ka arritur as t’i afrohet rekordit të Ballkanit, e lëre më ta kalojë atë.
Suharekasit janë themeluar në vitin 1947 me emrin Rinia.
Më pas, klubi kishte ndryshuar emrin në “Ballkani”, pasi drejtimin e tij e kishte marrë korporata suharekase me këtë emër.
Prej vitesh, Ballkani ka nxjerrë shumë futbollistë të shquar.
Këtë edicion mund t’i vijë fundi pritjes së gjatë të tifozëve nga Suhareka për ta parë Ballkanin për herë të parë kampion të Kosovës, pasi që skuadra e tyre e zemrës është lidere e Superligës para fillimit të fazës së tretë. /Gazeta Olle/