Reja: Skema nuk ndryshon, ja çfarë pres të shikoj ndaj Italisë

Trajneri Edi Reja doli në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të sfidës miqësore me Italinë, e cila do të luante mbrëmjen e nesërme në “Air Albania”, ku komentoi rëndësinë e ndeshjes dhe zbuloi pritshmëritë nga skuadra kuqezi.

Sa e rëndësishme është kjo sfidë për ju?
Për ne është shumë e rëndësishme, pasi dihen vlerat e kundërshtarit dhe është një test mjaft i mirë për të parë ecurinë e skuadrës. Unë uroj që të bëjmë sërish disa hapa përpara. Më vjen keq që disa lojtarë nuk do të mund t’i kemi, por kemi në dispozicion disa të rinj, që kanë treguar se e meritojnë këtë grumbullim dhe jam i sigurt që do të bëjnë shumë mirë. Përtej rezultati, që nuk është se intereson shumë në sfidën e nesërme, uroj që të bëjmë një paraqitje bindëse dhe shpresoj të kemi në krah edhe episodet.

A do të konfirmoni skemën 3-5-2 dhe cilat pritet të jenë risitë në skuadër nesër?
Moduli është gjithmonë ky, pasi në planin afatgjatë na ka dhënë më shumë garanci. Më pas mund të ndryshojmë në ndeshje e sipër, duke parë edhe kundërshtarin, por pikërisht me këtë skemë, lojtarët ndihen më të sigurt dhe do të konfirmojmë këtë skemë. Mungojnë emra si Cikalleshi e Balaj, por edhe Gjimshiti, megjithatë ata që do të zbresin në fushë, jam i sigurt që do të japin maksimumin, ndaj unë besoj plotësisht te ata. Unë skemën 3-5-2 e kam aplikuar te Napoli dhe gjithçka ka shkuar shumë mirë. Tani edhe Conte e Mancini përdorin të njëjtën skemë, duke e cilësuar si inovatore, por dikur më kritikonin. Kam komplimentuar Mancinin për guximin për të ndryshuar dhe për të gjetur ekuilibrat e duhur.

Ju vjen keq që Italia nuk është në Katar apo jeni i kënaqur që do të përballeni me ta nesër?
Më vjen shumë keq që Italia nuk do të jetë në Botëror për shkak të disa episodeve, pra për shkak të dy penalltive të humbura. Më vjen keq veçanërisht për Mancinin, pasi e ka përjetuar më shumë se të tjerët, por jam i bindur që ai do të udhëheqë skuadrën drejt një reagimi shumë të mirë. Ka shumë të rinj interesantë, që trajneri po i grumbullon dhe do të ketë mundësinë jo vetëm t’i shohë, por edhe t’i përfshijë në skuadër për të ardhmen.

A mund të bashkëjetojnë Asllani me Bajramin në skemën 3-5-2?
Sigurisht dhe e kanë bërë këtë në ndeshjen e fundit ndaj Izraelit. Ata mund të bashkëjetojnë shumë mirë nga minuta e parë, por janë dy lojtarë të ndryshëm dhe kanë nevojë për të pasur garanci, apo mbështetje nga pas e nga krahët. Bajrami është më shumë fantazist, që shikon nga sulmi, ndërsa Asllani është tipi mesfushor qendre, ndaj jam i bindur që me mbështetjen e duhur, mund të bashkëpunojnë shumë mirë.

A ndjeheni një italian që luan kundër Italisë, apo një “shqiptar” tashmë?
Unë jam italian në fund të ditës dhe kur nuk luan Shqipëria, bëj tifo gjithmonë për Italinë. Sigurisht që nesër mos prisni të bëj tifo për Italinë, pasi dua të shoh Shqipërinë të luajë bukur e të fitojë. Do të jetë një festë nesër dhe u emocionova shumë, që në momentin kur presidenti Duka më tha se do të luajmë ndaj Italisë. Nesër do të shijoj shumë himnin e Italisë, por edhe të Shqipërisë.

A rrezikojmë të bëjmë një figurë jo të mirë, edhe pse është vetëm një ndeshje miqësore?
Unë shpresoj që jo. Vetëm dje është kompletuar grupi dhe unë kam besim që futbollistët do të bëjnë maksimumin, për të dhuruar një paraqitje bindëse në fushë. Pres të marr konfirmimet që skuadra ka pësuar rritje.

A është kjo ndeshje dhe ky kundërshtar, i duhuri për të parë ecurinë e skuadrës?
Të presim dhe të shohim, por besoj se kemi stimujt e duhur për të bërë një paraqitje bindëse ndaj Italisë. Folëm shumë për cilësitë e kundërshtarit, por kjo është nga ato ndeshje që mund të na japë përgjigje shumë të mira sa i takon rritjes së skuadrës.

Ti që e sheh nga jashtë, pse Italia nuk është në Botëror për të dytin edicion radhazi?
Është një moment negativ për futbollin dhe analiza duhet bërë e thellë. Kohët e fundit skuadrat kryesore italiane si Juventusi, Interi e Milani kanë gjithnjë e më pak italianë në skuadër dhe nuk ofrojnë më atë bllokun e zakonshëm prej 6-7 lojtarësh për kombëtaren. Te Italia shpesh kemi parë lojtarë të talentuar, por pa eksperiencë ndërkombëtare, pa luajtur në nivele të tilla si Champions League. Mancini ka bërë një punë të shkëlqyer në fakt, ndonëse me eliminatoret e Botërorit nuk i ka ecur, pasi ka pasur edhe fatin kundër. Shpresoj që të vijojë me punën e mirë dhe shumë shpejt të rikthejë Italinë aty ku e ka vendin.

Cili është lojtari i Shqipërisë, që do ta sugjeronit në Serinë A?
Broja. Ka cilësitë e duhura për t’u bërë një futbollist i madh, ndonëse i duhet shumë punë. Është një i ri me cilësi teknike dhe fizike të jashtëzakonshme, që besoj se mund të bëjë një karrierë të rëndësishme, por nuk bëhesh fenomen me 2-3 ndeshje.

Bonucci zbulon bisedën me shokët te Juventusi: Shqipëria ka më shumë talent dhe eksperiencë!

Etrit Berisha: I respektojmë të gjithë, por nuk i frikësohemi askujt te Italia