Reja publikon listën e të ftuarve për ndeshjet e marsit, ka lojtarë të rinj të ftuar

Pritja ka marrë fund dhe trajneri i Kombëtares Shqiptare Edoardo Reja ka publikuar listën me 28 futbollistët që ka ftuar t’i përgjigjen grumbullimit për tre ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës Katar 2022.

Nuk mungojnë risitë në listën e publikuar nga tekniku italian, teksa ashtu siç e kishte zbuluar më herët në një deklaratë për Supersport është konfirmuar grumbullimi për herë të parë i fantazistit të Empolit, Nedim Bajrami.

“Ka disa emra të rinj, për shembull Nedim Bajrami, i cili po paraqitet mjaft mirë te Empoli dhe për herë të parë i bashkohet grupit. Me të i kemi nisur kontaktet prej një viti dhe shpresoj të jetë një vlerë e shtuar për Shqipërinë. Kemi thirrur gjithashtu edhe Mario Mitajn, i cili po spikat te AEK-u në kampionatin grek dhe e kemi marrë të ambientohet, pasi është ende shumë i ri dhe e shohim si pjesë të rëndësishme për të ardhmen. Më pas kemi Çokajn, Kallakun, të gjithë lojtarë të ekipit Kombëtar U-21 dhe gjithashtu Kamberi, të cilin nuk e kemi patur në dispozicion më parë për arsye të ndryshme, por mendoj se ka ardhur momenti i duhur që më në fund mund ta shohim në aksion me ne”, u shpreh trajneri.

Bekim Balaj dhe Armando Sadiku janë dy nga emrat e mëdhenj të kuqezinjve, të lënë jashtë këtij grumbullimi, por është rikthyer pas disa kohësh Arlind Ajeti, ndërsa Reja shpjegon edhe arsyet e zgjedhjeve të tij.

“Ajeti po bën mjaft mirë në klubin e tij në Itali, ku po luan titullar dhe është në formë optimale, ndaj e kemi thirrur për të të zëvendësuar Dermakun, që ka qenë i dëmtuar prej muajsh. Më vjen keq që nuk kam thirrur lojtarë si Bekim Balaj, që kanë dhënë shumë për skuadrën, por më është dashur të krijoj hapësira për më të rinjtë, që po luajnë rregullisht. Kemi grumbulluar vetëm 28 lojtarë, lista jonë prioritare është me 38-40 futbollistë, që i kemi vazhdimisht në vëmendje”, tha Reja.

Tekniku kuqezi shprehet se është mjaft i kënaqur me aktivizimin dhe formën e lojtarëve që ka grumbulluar për këto ndeshje eliminatore, teksa bën thirrje që të gjithë të ruajnë përqendrimin maksimal për ndeshjen me Andorrën.

“Që pas përfundimit të merkatos së janarit, thuajse të gjithë futbollistët e grumbulluar, kanë luajtur rregullisht dhe çdo tre ditë, ndaj jam i bindur që vijnë në një formë fizike mjaft të mirë. Duhet të ruajmë përqendrimin veçanërisht ndaj një kundërshtari si Andorra, pasi kemi gabuar edhe më herët ndaj tyre. Në këto eliminatore dua të shoh rritjen e ekipit, pasi tani lojtarët e njohin më mirë njëri-tjetrin dhe kanë fituar më shumë eksperiencë edhe me klubet, ndaj besoj te një performancë e mirë edhe me kundërshtarë si Hungaria e Polonia”, u shpreh Reja.

Së fundi FSHF-ja bëri edhe një përpjekje zyrtare për të marrë leje për praninë e tifozëve në stadium për ndeshjen me Anglinë, por mori përgjigje negative nga autoritetet shëndetësore, ndërsa vetë Reja theksoi se fansat kuqezi në shkallët e “Air Albanias” do të ishin një bonus për futbollistët në fushë.

“Është një kërkesë e drejtë aj oe FSHF-së, pasi me 30% të kapacitetit është e mundur të ruhet edhe distanca fizike. E imagjinoni nëse do të kishte disa tifozë në një ndeshje me Anglinë dhe kënaqësinë e madhe që do të kishin futbollistët, që më në fund do të shohin pak spektatorë në tribuna, të cilët do të kritikonin, do t’i motivonin, për të marrë pjesë në ndeshje, sepse futbolli pa publik nuk mund të ekzistojë. Shpresoj të bëhet i mundur ky lëshim, pasi do të ishte një rezultat i shkëlqyer”, u shpreh trajneri italian i kuqezinjve.

Rrugëtimi i kuqezinjve në këto eliminatore do të nisë nga Barcelona, një qytet shumë afër gjeografikisht me Andorrën, aty ku kuqezinjtë do të bëjnë edhe performancën e parë zyrtare më 25 mars, teksa vetëm tre ditë më vonë do të përballen me Anglinë në “Air Albania” e më pas do të luajnë sërish në transfertë, këtë herë ndaj San Marinos në 31 mars.