Rehatohet Vëllaznimi

Sot është arritur marrëveshja me Klubin Futbollistik “Vëllaznimi”, pas një takimi të përbashkët në mes të Kryetares së Komunës së Gjakovës Mimoza Kusari Lila me përfaqësues të kryesisë së klubit futbollistik Vëllaznimi, trajnerin Genc Hoxha, kapitenin Robert Gjeraj dhe përfaqësuesin e tifozëve Kuqezinjë e Jakovës.

Me këtë rast, kryetarja i njoftoj të pranishmit se komuna e Gjakovës për vitin 2014 ka dhënë subvencione duke u bërë kështu komuna e cila ka dhënë më shumë fonde në krahasim me komunat tjera, raporton Zëri. Përpos kësaj, për herë të parë subvencionet për sport ishin shpërndarë në mënyrë publike duke i alokuar mjetet direkt në llogari të klubit me menaxhimin e plotë nga vetë ata, shkruan Zëri.

Gjendja e rëndë financiare në K.F “Vëllaznimi” është si rezultat i keq menaxhimit të klubit që nga viti 2007, ku vetëm si borxhe të komunalive janë trashëguar mbi 100,000 euro dhe kjo situatë e vazhdueshme ka shkaktuar në vazhdimësi probleme të natyrës financiare.

Megjithatë, duke diskutuar rreth alternativave të mundshme dhe zgjidhjeve të problemit financiar, kryetarja Mimoza Kusari-Lila i njoftoi nga afër përfaqësuesit e klubit që komuna e Gjakovës deri ditën e Premte, me datë 27 Shkurt 2015, nga kategoria e subvencioneve, për Vëllaznimin do të dhurojë 15,000 euro nga subvencionet e Drejtorisë së Kulturës dhe 15,000 euro nga subvencionet e zyrës së Kryetares, duke bërë të mundur që të paguhen lojtarët dhe të vazhdojë kështu rrjedha e takimeve të parapara në super ligë, përcjell Zëri.