Refuzoi nënshtetësin amerikane krenare që është nga Ruisa

Atletja femër më e paguar në botë ka pranuar se nuk do të heqë dorë kurrë prej nënshtetësisë ruse për atë amerikane. Maria Sharapova, e emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që në moshën 7-vjeçare, ka zbuluar në një intervistë për “CNBC Meets” se kultura e pasur ruse e ka ndihmuar të mos i shkojë ndonjëherë ndër mend të ndryshojë nënshtetësi.

“Nëse do të dëshiroja ta ndryshoja, mund ta bëja, por për mua kjo nuk ka qenë kurrë një çështje në diskutim”, zbuloi tenistja, e cila fitoi “grand slamin e parë në moshën 17- vjeçare.

Mes të tjerash, Sharapova komentoi edhe emocionet që kishte përjetuar vjet teksa mbajti pishtarin në Lojërat Dimërore “Soçi 2014″.

“Ishte një nder i madh për mua. Të them të drejtën, ishte njëra prej ditëve më të mira të karrierës sime. Ishte nga të paktat raste kur e tërë familja ime më shikonte nga afër, nga shkallët e stadiumit”, tha Sharapova, e cila së fundmi po njeh sukses edhe në biznesin e ëmbëlsirave, pasi ka krijuar markën “Sugarpova”.

Mes të tjerash, Sharapova iu përgjigj edhe një tjetër pyetjeje aspak komode të prezantueses së emisionit. Kjo e fundit i kërkoi tenistes të mbante një qëndrim mbi atë çfarë po ndodhte së fundmi mes Amerikës dhe Rusisë.

“Nuk dua të mbaj asnjë qëndrim mbi këtë çështje, pasi unë jam atlete dhe nuk përfshihem shumë në të tilla ngjarje. Unë jam krenare për vendin që përfaqësoj”, përfundoi tenistja ruse.